“Po kërcënohemi me një luftë të madhe, 16 shkurtin do ta kemi ‘datën e unitetit’”
Në një deklaratë të bërë para pak çastesh, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka lavdëruar fuqinë e vendit të tij, në kohën kur tensionet vetëm sa po rriten dhe frika për një invazion nga ana e Rusisë është çdo herë e më e madhe.
Në anën tjetër lideri ukrainas tha se ka dëgjuar nga mediat amerikane se Rusia mund të fillojë pushtimin gjatë të mërkurës, duke këmbëngulur se “kjo ditë do të jetë dita e unitetit”, transmeton Telegrafi.
“Po kërcënohemi me luftë të madhe dhe data e pushtimit ushtarak është shfaqur. Kjo nuk është hera e parë. Shteti ynë është sot më i fuqishëm se kurrë më parë. Duam paqe dhe duam të zgjedhim të gjitha çështjet ekskluzivisht përmes negociatave”, tha ndër tjera Zelensky.
Madje ai bëri një parashikim – duke theksuar se rajoni i Donbassit dhe Krimea do të jenë sërish nën kontrollin e Ukrainës – duke iu referuar aspektit diplomatik, shkruan BBC.
Zelensky lavdëroi ushtrinë ukrainase duke thënë se “është shumë herë më e fuqishme sesa që ishte tetë vite më parë”.
“Do të ngritim flamurin kombëtar me 16 shkurt, duke vënë rripin me ngjyrë të kaltër dhe verdhë – duke i treguar botës unitetin tonë”, tha për fund Zelensky.