U vije fundi ‘laramanive’ të çmimeve nëpër barnatore, të gjitha me çmim të njëjtë

13:35 | 08 May 2019

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka paralajmëruar se së shpejti çmimet e barnave do të jenë të njëjta në të gjitha barnatoret e Kosovës.

Shumë shpejt, qytetarët e Kosovës do të mund të blejnë barnat e njëjta me çmime të njëjta në të gjitha barnatoret e Kosovës.

Kjo po bëhet e mundur pasi që Ministria e Shëndetësisë ka finalizuar Udhëzimin Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimeve të barnave.

Lajmin e ka bërë të ditur vet ministri i shëndetësisë, Uran Ismaili. Me këtë rast, ai ka pasur një takim me Autoritetin e Konkurrencës dhe Odën e Farmacistëve të Kosovës ku ka folur për ndikimin që do ta ketë ky dokument për jetën e qytetarëve.

“Shumë afër të një prej reformave më të mëdha në shëndetësinë tonë. Tashmë e kemi draftin final të udhëzimit administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të barnave në të gjitha barnatoret tona. Shteti nuk do të blejë më barna më shtrenjtë se vendet e rajonit, kurse qytetarët do të blejnë barnat e njëjta me çmime të njëjta në të gjitha barnatoret e Kosovës”, ka shkruar ministri Ismaili facebook.

Më tej, ai ka thënë se ky dokument do të hap një faqe të re për shëndetësinë kosovare dhe do të mbroj shtetin dhe qytetarët nga shpenzimet e larta financiare.

“Për këtë, sot pata edhe një takim me drejtues të Autoritetit të konkurencës dhe Odën e Farmacistëve të Kosovës. Kemi punuar shumë gjatë dhe me kujdes duke analizuar të gjitha faktet e mundshme që mund të kenë ndikim në jetën e qytetarëve për atë se çka sjell zbatimi i tij. Falenderoj përgjegjësit e Autoritetit të Konkurencës për angazhimin e tyre dhe përfshirjen në këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin”, ka përfunduar ai.

Komento: