Është gjendur djaloshi amerikan që ishte zhdukur për tri ditë me radhë.
Autoriteteve amerikane u janë nevojitur tri ditë për gjetjen e djaloshit Casey Hathaway. Të përballur me shi të madh, erëra të forta dhe dukshmëri të kufizuar, ekipet e shpëtimit dhe policia i vazhduan kërkimet në Karolinën e Veriut deri në gjetjen e djaloshit.
Pas tri ditëve të kërkimeve, ekipet e shpëtimit e dëgjuan nga larg zërin e djaloshit që po e thërriste emrin e nënës. Ata e lokalizuan vendin ku po dëgjohej zëri i djaloshit dhe më në fund e gjetën të mbuluar me shkurre. Autoritetet thanë se trupi i tij ishte i ftohtë, por djaloshi ishte me vetëdije.
Casey ishte duke luajtur me dy fëmijë të tjerë në oborrin e shtëpisë së stërgjyshes, por nuk ishte kthyer më në shtëpi. Familja e tij e kishin kërkuar për 45 minuta para se ta lajmëronin policinë. “Ai kishte hyrë në pyll dhe nuk mund ta gjenim. Fëmijët tjerë u kthyen, por ai kishte shkuar ndokund tjetër”, ka thënë stërgjyshja e tij.
Pasi e morën lajmin, autoritetet amerikane u mobilizuan shpejt për fillimin e kërkimeve, duke përfshirë përdorimin e helikopterëve, dronëve dhe njësive policore me qenë nuhatës. Në këto kërkime u përfshinë edhe zhytësit, të cilët hynë në ujin e puseve të asaj zone, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.