Udhëheqësit milionerë të shtetit të varfër

14:45 | 08 June 2019

Deklarimi i pasurisë nxjerr udhëheqësit milionerë të shtetit të varfër.

Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë në Kosovë, procedurë kjo e rregullt vjetore, ka dëshmuar edhe njëherë për pasurinë që disponojnë disa ministra, deputetë dhe udhëheqës të institucioneve, që kalon vlerën prej disa milionë euro. Por, përkundër që përmes deklarimit dëshmohet pasuria milionëshe e disa zyrtarëve të lartë shtetërorë në Kosovë, vend ky më i varfëri në Evropë, megjithatë sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, në disa raste kjo pasuri e deklaruar është joreale.

Nga deklarimi i pasurisë që kanë bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), vërehet se zyrtarë të institucioneve, disa nga të cilët janë pjesë e legjislativit, kanë pasuri të paluajtshme, pasuri të trashëguar nga familja, para të gatshme dhe vetura luksoze, vlera e të cilave arrin miliona euro.

Organizata joqeveritare Çohu, ka monitoruar në vazhdimësi deklarimet e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë. Genc Nimoni nga kjo organizatë thotë për Radion Evropa e Lirë, se një ndër gjetjet e organizatës ka qenë se sa janë të sakta vlerat që i deklarojnë këta zyrtarë publikë.

“Ne kemi gjetur mospërputhje të vazhdueshme të këtyre vlerave të pasurisë së deklaruar dhe kjo vjen kryesisht për shkak të mungesës së një mekanizimi kontrollues dhe verifikues nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsion për saktësinë e këtyre vlerave. Kemi pasur raste kur deklaruesit kanë deklaruar edhe piktura me vlera marramendëse 1 miliard euro. Së fundmi kemi deklarimet e zyrtarëve publikë, ku shifrat për një patundshmëri janë 175 mijë euro, e që nuk përkon me vlerën reale. Kjo është një defekt që po e përcjell procesin e deklarimit të pasurisë e që do të duhej të merren masa”, thekson Nimoni.

Verifikimi i vështirë i pasurisë së paligjshme të zyrtarëve shtetërorë
Për vitin 2019 numri i përgjithshëm i zyrtarëve të lartë që kanë deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit është 4755, ndërsa vetëm 13 zyrtarë nuk kanë kryer këtë obligim ligjor.

Pas përfundimit të të gjitha çështjeve teknike të këtij procesi, Agjencia do të organizojë aktivitetin publik të hedhjes së shortit për kontrollin e plotë të pasurisë, që sipas Ligjit për deklarimin e pasurisë do t’i nënshtrohen 20 për qind e listës së përgjithshme të zyrtarëve te lartë publikë, që kanë deklaruar pasurinë në vitin 2019.

Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publikë në Kosovë për Asdren Osaj, njohës i zhvillimeve në vend, në disa raste nuk është reale dhe si i tillë nuk po arrin të verifikohet nga kompetentët.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se në disa raste ajo pasuri rritet nga deklaruesit, e disa prej tyre e fshehin atë duke mos e deklaruar fare.

“Milionerë dalin të atillë pasi që e fryjnë pasurinë, që e kanë në mënyrë që gjatë ushtrimit të mandatit dhe gjatë viteve në vijim të barazojnë me të hyrat apo të ardhurat që i sjellin nga aktivitetet e tyre, që në të shumtën e rasteve janë ilegale. Dhe tjetra është zvogëlimi i pasurisë, duke bartur pronësinë apo mjetet financiare në pronar të tjerë, qoftë familjarë apo rrethi i tretë i të afërmve, në mënyrë që të ikin deklarimit të tërë pasurisë”, thotë Osaj.

Mosdeklarimi apo deklarimi i rrejshëm i pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publikë përbën vepër penale që sanksionohet me dispozitat e Kodit Penal dhe që mund të rezultojë me gjobë, burgim deri nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe konfiskim të pasurisë së fituar në kundërshtim me ligjin.

Afrim Atashi, drejtor i departamentit për deklarim të pasurisë në AKK, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë bërë kallëzime penale për zyrtarët të cilët kanë bërë deklarim të rrejshëm të pasurisë.

“Te verifikimi i pasurisë ne marrim të dhënat zyrtare tek institucionet e vendit dhe në ato të dhëna bazohemi dhe kur kemi mospërputhje të deklarimit të pasurisë me gjendjen reale, ne bëjmë kallëzime penale. Nëse këto informacione zyrtare që ne marrim nuk përkojnë me realitet, ne nuk mund të reagojmë më shumë sesa kjo që kemi. Në vitin e kaluar janë rreth 50 persona që kemi gjetur mospërputhje të deklarimit të pasurisë dhe kemi ngritur kallëzime penale. Ka pasur dënime, por nuk mund të themi se jemi të kënaqur, pasi që në shumë raste kemi dënime me vërejtje por jo me dënim me burg”, thotë ai.

Derisa, sipas deklarimit të pasurisë një numri i madh i zyrtarëve të lartë dalin të jenë milioner, Kosova si shtet përballet me probleme të mëdha ekonomike dhe sociale.

Rritja ekonomike që nuk arrin rreth 4 për qind dhe është e pamjaftueshme për të adresuar problemet ekonomike dhe sociale të vendit.

Papunësia vazhdon të konsiderohet e lartë dhe atë sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është 29.6 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grup moshat 15-24 vjeçare me 55.4 për qind.

Nga kjo shifër mbi 19 për qind e të papunëve janë persona që kanë përfunduar arsimin terciar.

Komento: