
UEFA ka raportuar menjëherë për rizgjedhjen e Agim Ademit në postin e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), pas mbajtjes së Kuvendit të Rregullt Zgjedhor.
Në uebfaqen zyrtare të shtëpisë së futbollit evropian thuhet se Ademi është rizgjedhur për mandatin e tretë radhazi në krye të FFK-së, duke marrë mbështetje unanime nga delegatët e Kuvendit, i cili u mbajt të enjten. Agim Ademi, që udhëheq Federatën e Futbollit të Kosovës që nga viti 2018, ka siguruar kështu një mandat të ri katërvjeçar.
UEFA thekson se kjo rizgjedhje konfirmon besimin ndaj punës së deritanishme dhe vazhdimin e angazhimit për zhvillimin dhe avancimin e futbollit në Kosovë. Tutje, UEFA ka përcjellë edhe deklaratën e presidentit Ademi pas rizgjedhjes, ku ai ka vlerësuar mbështetjen e dhënë nga delegatët dhe rëndësinë e këtij besimi për të ardhmen.
“Vota e sotme është besim për mua dhe për ekipin tim, por mbi të gjitha është vlerësim për punën e bërë bashkërisht dhe përkrahje për rrugëtimin që na pret përpara”, ka deklaruar Ademi, cituar nga UEFA.
Me këtë mandat të ri, pritet që FFK të vazhdojë projektet e saj strategjike, me fokus në rritjen e cilësisë së garave, zhvillimin e futbollit të të rinjve dhe forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare./Telegrafi/