Uji – privilegj “politik” apo e drejtë bazike? Dy javë pa ujë në Arbëri

11:26 | 17 Janar 2026
Uji – privilegj “politik” apo e drejtë bazike? Dy javë pa ujë në Arbëri

Një qytetare nga lagjja Arbëri në Prishtinë ka ngritur alarmin për mungesën e ujit të pijshëm që tash e dy javë, duke theksuar se situata është bërë e padurueshme për banorët e zonës. Sipas saj, uji po vjen vetëm një orë në ditë dhe me një rrjedhë aq të dobët sa nuk po mundëson as furnizimin minimal për familjet.

“Dy javë pa ujë në Arbëri, përballë Ambasadës Amerikane uji vjen veç një orë në ditë, e as rezervat s’po na kryejnë punë”, shprehet ajo.

Qytetarja thotë se, pavarësisht ankesave të vazhdueshme, nga KRU Prishtina nuk është dërguar asnjë autobot për furnizim emergjent, ndërsa përgjigjja e përditshme ka qenë e njëjtë: “Sot besojmë rregullohet”.

Sipas saj, uji po furnizohet nga Batllava, por prioritet duket se i është dhënë komunës së Fushë Kosovë, ku problemi është zgjidhur prej disa ditësh, ndërsa Arbëria vazhdon të mbetet pa furnizim normal.

Komento: