Ukraina ka mbjellë afër 7 milionë hektarë tokë deri në prill, ose 25-30 për qind më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Po ashtu ka eksportuar 1.090 milion ton drithë në prill, tha ministri ukrainas i Agrikulturës, Mykola Solskyi.
Ai tha se eksportet e drithërave po bëhen përmes Rumanisë, pasi Rusia po bllokon portet ukrainase, por shtoi se këto eksporte mund të vështirësohen në dy muajt e ardhshëm, për shkak se duhet të eksportohen edhe gruri i korrur për në Rumani dhe Bullgari.
“Mbjellja e kulturave po vazhdon në mënyrë aktive pavarësisht vështirësive që kryesisht lidhen me logjistikën”, tha Solskyi gjatë një konference për media më 9 maj.
Sipas ministrit ukrainas, gjatë këtij viti është mbjellë më pak sipërfaqe me misër.
Ai tha se pushtimi rus, që nisi më 24 shkurt, ka rritur paqëndrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare financiare, duke rritur çmimet e mallrave dhe duke prekur aspektet logjistike.
Para luftës, Ukraina ishte eksportuesja e katërt më e madhe në botë e misrit, ndërkaq në sezonin 2020-21 kishte qenë eksportuesja e gjashtë në botë e grurit.
Agjencia për ushqim e Kombeve të Bashkuara javën e kaluar tha se pothuajse 25 milionë tonë drithëra janë bllokuar në Ukrainë dhe nuk po mund të eksportohen për shkak të sfidave në infrastrukturë dhe bllokadave në portet në Detin e Zi. /REL