Presidenti amerikan Joe Biden do të thërrasë sot një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për situatën në Ukrainë, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
”Ekipi i sigurisë kombëtare i Biden ka përsëritur paralajmërimet se Rusia mund të nisë një sulm kundër Ukrainës në çdo kohë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, duke shtuar se presidenti i SHBA po monitoronte zhvillimet dhe u informua për bisedimet e zëvendëspresidentes Kamala Harris me aleatët në Konferencën për Sigurinë në Mynih.
Fuqitë perëndimore kanë paralajmëruar për javë të tëra se rajoni mund të jetë në prag të luftës, duke thënë se situata mund të përshkallëzohet shpejt dhe në mënyrë dramatike.
Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur të ketë ndonjë qëllim për të sulmuar fqinjin e saj.