Ultimatumi i SBASHK-ut për Hekuran Muratin: Deri nesër ka afat

14:05 | 06 October 2022

SBASHK-u ultimatum Hekuran Muratit: Deri nesër ka afat.

Sindikalistët po presin një arsyetim nga Hekuran Murati pse ua ndali mësuesve rrogat, për të ndërmarrë tutje hapa ligjorë. Rrahman Jasharaj thotë se mësuesit janë të shqetësuar dhe ndihen të ndëshkuar, ndërsa SBASHK u ka bërë edhe një kërkesë bankave, ku mësuesit pa rroga kanë kredi.

Kryesindikalisti Rrahman Jasharaj, në një prononcim për Gazetën Express, tha se SBASHK i ka kërkuar ministrisë që e udhëheq Hekuran Murati, që të lëshojë një arsyetim për mosekzekutimin e pagave.

“SBASHK-u i është drejtuar Ministrisë se Financave që të lëshojë arsyetimin se pse i kanë ndalë pagat. Deri nesër kanë afat, pastaj do të shohim hapat e mëtutjeshëm ligjorë që do t’i ndërmarrim”, deklaroi kreu i sindikatës.

Jasharaj kërkon angazhim nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, për ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.

“Ne presim angazhim nga ministrja e Arsimit për pagat që deri më sot nuk i kanë dalë mësimdhënësve që ishin në grevë”, deklaroi Jasharaj.

Ndërsa sa i përket kompensimit të pagave, Jasharaj ka thënë se ky vendim i takon anëtarësisë së SBASHK-ut, derisa nuk tregoi se a disponimi i tyre për kompensimin e orëve.

“Për kompensimin e orëve do të ulemi të bisedojmë me MASHTI-n dhe me përfaqësuesit e prindërve, sepse siç e dimë prindërit janë kundër zëvendësimit të orëve gjatë të shtunave për shkak të obligimeve familjare që kanë. Gjithashtu, e dimë që mësimi të shtunave nuk ka shumë efekt”, tha Jasharaj.

Por, Jasharaj shtoi se “duhet t’i lihet secilës shkollë që të vendos se si do t’i zëvenëdojë” orët e humbura për shkak të grevës.

Jasharaj bëri thirrje që t’i iket vendimeve të njëanshme, pasi mësimdhënësit nuk ishin të vetmit që grevuan, por ishin të vetmit të cilëve nuk iu ekzekutuan pagat.

Sipas tij, kjo ka shkaktuar indinjatë te mësimdhënësit.

“Mësimdhënësit janë të indijuar dhe të shqetësuar. Këtë po e marrin si ndëshkim”, u shpreh Jasharaj.

I pari i SBASHK-ut tha se shumica e mësimdhënësve janë në kredi, për çka ai ka dërguar një kërkesë nëpër institucionet bankare.

“Shumica e mësimdhënësve janë në kredi. Ne kemi marrë vendim që t’u dërgojmë bankave një kërkesë që të mos sanksionohen mësimdhënësit, pasi të njëjtit nuk kanë marrë paga për muajin shtator”, tha Jasharaj për Express.

Ai tha se ende nuk kanë pranuar ftesë për takim nga ana e qeverisë.

Komento: