
Komandanti i KFOR-it, gjeneral majori turk Oezkan Ulutash ka folur për optimizmin e pranisë së KFOR-it në Kosovë. Ulutash përsëriti se si i tillë do të zhvillohet gradualisht dhe duke e analizuar situatën e sigurisë porse trupat mund të kthehen nëse e kërkojnë zhvillimet.
Ulutashi ka deklaruar se pas sulmit në Banjskë, u dislokuan trupa shtesë në Kosovë, por pas sulmeve ndaj ushtarëve të NATO-s në maj të vitit 2023 dhe pas Banjskës, nuk ka pasur më incidente me përmasa të tyre.
“Nuk jam në pozitë të zbuloj detaje operacionale. Kjo është thelbësore për të ruajtur efektivitetin dhe fuqinë parandaluese të KFOR-it. Megjithatë, mund t’ju them se ne do të vazhdojmë të monitorojmë çdo zhvillim relevant të sigurisë dhe do të sigurohemi gjithmonë që misioni ynë të jetë i pozicionuar siç duhet dhe i aftë për të përmbushur detyrën e tij. Siç kam thënë edhe më parë, procesi i optimizimit të pranisë së KFOR-it bazohet në një analizë të kujdesshme të disa treguesve të sigurisë. Ai do të zhvillohet gradualisht dhe në përputhje me kushtet në terren, ndërsa mund të rikthehet nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë këtë”, ka thënë Ulutash në një intervistë për KosovaPress.
Optimizmi i pranisë së KFOR-it sipas Ulutash ka thënë se duhet të shihet si tregues pozitiv sa i përket sigurisë. Ai deklaroi se Ballkani Perëndimor është me rëndësi strategjike për NATO-n dhe si i tillë nuk do të lejohet krijimi i një vakuumi të sigurisë.
“Për 27 vjet, KFOR-i ka qenë një shtyllë e sigurisë në Kosovë dhe një faktor kyç i stabilitetit rajonal. Fakti që tani po optimizojmë praninë tonë është një tregues pozitiv se mjedisi i sigurisë është, në përgjithësi, i qëndrueshëm. Megjithatë, NATO dhe KFOR-i mbeten plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë në Kosovë. Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën, ndërsa siguria e tij është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e hapësirës euroatlantike. NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakuumi të sigurisë, ka deklaruar Ulutash.
Sa i përket sulmit në Banjska, Ulutash ka thënë se KFOR-i reagoi me shpejtësinë e nevojshme dhe “në përputhje të plotë me mandatin e tij afatgjatë të OKB-së dhe sipas procedurave e protokolleve të vendosura”.
Ulutash ka thënë se megjithatë, ekzistojnë disa çështje të pazgjidhura që mund të kenë ndikim në siguri dhe, për këtë arsye, duhet të adresohen. Ai foli edhe për rëndësinë e dialogut.
“Retorika nxitëse dhe përdorimi i vazhdueshëm i dezinformatave janë ndër shqetësimet tona, duke pasur parasysh ndikimin që ato mund të kenë në mjedisin e sigurisë. Për këtë arsye, KFOR-i mbetet vigjilent dhe i pozicionuar mirë në gjithë Kosovën. KFOR-i do të vazhdojë të bëjë atë për të cilën është mandatuar. Megjithatë, dua ta bëj të qartë se rruga drejt një sigurie të qëndrueshme është politike, jo ushtarake. Për këtë arsye, KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në kuadër të përpjekjeve më të gjera të NATO-s për të mbështetur avancimin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Pikërisht ky dialog është korniza për adresimin e të gjitha çështjeve të mbetura pezull dhe për arritjen e zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e të gjitha komuniteteve”, deklaroi Ulutash.