United nuk ndalet, fiton me rezultat të pastër ndaj Leicester

17:21 | 19 Shkurt 2023

Manchester United ka fituar me rezultat të thellë kundër Leicester City. Marcus Rashford (25’, 56’) dhe Sancho (61’) shënuan golat për Djajtë e Kuq duke bërë që ata të vazhdojnë ndjekjen për titull në Angli.

Me këtë fitore United ka 49 pikë, pesë më pak se Arsenali në vendin e parë dhe tri më pak se City në vendin e dytë

Manchester United ka vazhduar me formën e mirë në Premier Ligë.

Kësaj radhe ata kanë fituar me rezultat të pastër kundër Leicester City, duke e mposhtur këtë skuadër me rezultat të thellë 3-0.

Rasti i parë në ndeshje ishte ai në minutën e 9-të të ndeshjes kur Barnes i Leicester pranoi një top të mirë në zonën e United por që nuk arriti ta konkretizojë në gol pasi që De Gea bëri një pritje briliante.

Leicester sulmoi në minutën e 21-të me anë të Kelechi Iheanacho i cili po ashtu bëri një goditje që u bllokua nga de Gea që bëri përsëri një pritje të mahnitshme.

Por, United u kthye në lojë dhe ishte Marcus Rashford që mori një top të mahnitshëm nga Bruno Fernandes dhe zhbllokoi sfidën për 1-0 në minutën e 25-të.

Minuta e 37-të ka mundur që të ndryshojë shifrat pasi që Bruno Fernandes lejoi Diego Dalot që ta vazhdojë aksionin por ai për çudi e humbi një mundësi të mirë për të shënuar.

Në pjesën e dytë Djajtë e kuq ishin shumë më të mirë kur në minutën e 49-të Lisandro Martinez goditi shtyllën.

Rashford vazhdonte me sulme të njëpasnjëshme dhe ishte afër për të shënuar në minutën e 51-të por ishte Ward që ia mohoi golin e tij.

Por, jo edhe goditjen e tij në minutën e 56-të ku Rashford shënoi golin e dytë personal në këtë ndeshje. Fred bëri një pasim super të mirë për sulmuesin anglez i cili finalizoi aksionin në mënyrë perfektë për rezultat 2-0.

Në minutën e 62-të United do ta shënonte golin e tretë.

Jadon Sancho mori një pasim të mirë Bruno Fernandes duke shënuar një gol të bukur.

United në javën e ardhshme do të luajë në finalen e Carabao Cup duke qenë kështu jashtë angazhimeve në Premier Ligë, derisa Leicester pret në King Power Stadium skuadrën e vendit të parë, Arsenal.

Komento: