
Deputeti ukrainas uron Kosovën: Do të bëj gjithçka që Ukraina ta njohë pavarësinë.
Deputeti i Ukrainës, Oleksiy Goncharenko, që u bë promovuesi i pavarësisë së Kosovës në vendin e tij, sot ka uruar kosovarët për ditën e tyre.
Ai tha se Ukraina është ende në rrugën për ta njohur pavarësinë e Kosovës, por se do të bëjë gjithçka mundet për ta bërë të mundshme këtë.
“Ju keni një vend të mrekullueshëm dhe njerëz të mrekullueshëm! Ukraina është ende në rrugën e njohjes së pavarësisë së Kosovës, por unë po bëj gjithçka që kam në dorë për ta afruar këtë moment”, ka shkruar ai.
Goncharenko kishte filluar edhe një peticion për njohjen e pavarësisë së Kosovës në Ukrainë.
Një deklaratë shpresëdhënëse për këtë çështje sot e ka bërë ambasadori ukrainas në Tiranë, i cili nga Korça tha se pasi të fitojnë luftën me Rusinë, njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë hapi i dytë.
Volodymyr Shukrov u shpreh se sot Ukraina është në zjarrin e luftës, ndaj fillimisht duhet të fitojnë këtë luftë më pas do të shikojnë edhe çështje të tjera.