Gjatë kësaj jave, në Kosovë dhe Serbi pritet të vijë Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samanta Power në një përpjekje për të shuar tensionet mes dy shteteve.
Pra, me vizitën e saj SHBA konfirmon se do të angazhojë edhe një ‘resurs’ të saj në përpjekje për të çuar tutje procesin e normalizimit Kosovë-Serbi. Uashingtoni është i angazhuar fuqishëm në bisedime edhe pse formalisht ky proces drejtohet nga Brukseli.
Power kishte shërbyer si ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB para se të bëhej shefe e USAID. Ajo njihet për afërsinë me Presidentin amerikan, Joe Biden dhe mbështetjen publike që ia ka dhënë atij.
Fituesja e Çmimit të njohur Pulitzer, Samantha Power e kishte pasur rastin që të punojë afër Bidenit gjatë administratës së Presidentit Obama. Ajo kishte thënë se për Biden kishte krijuar respekt, përkundër kundërshtimeve të herëpashershme lidhur me punën që i kanë pasur.
Power ishte nominuar nga vetë Biden që të zgjidhet në krye të USAID. Ajo kishte marrë votat e shumicës në prillin e vitit të kaluar dhe që nga ajo kohë drejton organizatën që mbështetë projekte nëpër botë, raporton Gazeta Express.
Me vizitën e saj, Power bëhet udhëheqësja e parë e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar që udhëton në Serbi, e cila mban lidhje të ngushta historike dhe kulturore me Rusinë.
Serbia dhe Kosova kanë marrëdhënie shpesh armiqësore që nga ndarja e Kosovës nga Serbia në fund të Luftës së Ftohtë. Fërkimet midis Serbisë dhe Kosovës, e cila ka një shumicë etnike shqiptare dhe një pakicë etnike serbe, janë rikthyer mes tensioneve të përgjithshme, që nga agresioni i Rusisë në Ukrainë, vitin e kaluar.
Power do të takohet me kryeministrat dhe presidentët e të dyja vendeve, për t’i inkurajuar të qëndrojnë në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre dhe të vazhdojnë të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ajo “do të nënvizojë mbështetjen e USAID-it për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian përmes partneritetit tonë për nxitjen e rritjes ekonomike dhe zhvillimit demokratik”, tha USAID në një deklaratë.
Power do të jetë zyrtarja e parë e lartë i qeverisë amerikane që do të udhëtojë në rajon, që kur Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një takim midis udhëheqësve të dyja vendeve javën e kaluar në Bruksel, duke i inkurajuar ata që t’i përkushtohen dialogut paqësor.
Bashkimi Evropian ka shpenzuar 12 vjet duke lehtësuar negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia nuk e njeh shtetësinë e saj.
Brukseli dhe Shtetet e Bashkuara shpesh ndërhyjnë për të ulur tensionet midis dy kryeqyteteve, posaçërisht vitin e kaluar që kur Rusia sulmoi Ukrainën.
Lufta në Kosovë shpërtheu kur shqiptarët etnikë ngritën krye kundër sundimit serb dhe Serbia u përgjigj me një shtypje brutale. Rreth 13,000 njerëz, kryesisht shqiptarë etnikë, u vranë. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s përfundimisht e detyroi Serbinë të tërhiqej nga territori i Kosovës.
Power gjithashtu do të takohet në Serbi dhe Kosovë me pjesëtarë të shoqërisë civile, udhëheqës biznesesh, gazetarë dhe të tjerë, duke përfshirë ish-lojtarin serb të NBA-së Vlade Divac dhe sportistë me aftësi të kufizuara.