Ushqimi për ushtarët e Kosovës, ministri Maqedonci pritet të raportojë në Kuvend

17:47 | 01 Tetor 2024
ushqimi-per-ushtaret-e-kosoves,-ministri-maqedonci-pritet-te-raportoje-ne-kuvend

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës është detyruar të martën ( më 1 tetor 2024) t’i huazojë kuzhinierët nga Qendra e Studentëve dhe Shërbimi Korrektues për përgatitjen e ushqimit për ushtarët e Kosovës.

Problemi me ushqimin e ushtarëve të Kosovës është krijuar pasi që kontrata për tenderin e fundit të shpallur për këtë qëllim ende nuk është nënshkruar dhe rrjedhimisht ende nuk ka filluar të zbatohet. Në anën tjetër, tenderit paraprak i ka skaduar kontrata me 30.09.2024.

Çështja e ushqimit të ushtarëve të Forcës së Sigurisë ka ngjallur reagime të shumta në vend, e cila është përcjellë me akuza dhe kundërakuza midis pushtetit dhe opozitës.

Ish-ministri i Mbrojtjes: Sa isha unë ministër s’ka pasur probleme me ushqimin e ushtarëve të Kosovës

Ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ka deklaruar për “Front Online” se sa ka udhëhequr me këtë Ministri nuk ka pasur probleme të tilla.

Ai thotë se ministria e ka të drejtën ta vazhdojë kontratën të njëjtës kompani të ushqimit deri në përzgjedhjen e tjetrës.

“E kanë të drejtën t’ia vazhdojnë të njëjtës kompani që e kanë pas deri në momentin e përzgjedhjes së një kompanie tjetër. Kohën sa isha unë ministër nuk ka ndodhë një gjë e tillë”, u shpreh Berisha për “Front Online”.

Deputeti Qalaj: Problemi i kontratave për ushqimin e FSK-së, skandaloz

Anëtari i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj ka kritikuar pushtetin aktual lidhur me problemin me kontrata për ushqimin e pjesëtarëve të FSK-së.

Qalaj këtë problem e ka quajtur skandaloz.

Ai tha për “Front Online” se zyrtarët e kësaj ministrie është dashur t’i sigurojnë më herët kontratat e reja.

“Kjo është skandaloze dhe kontratat e tilla dihen kur lidhën dhe kur skadojnë, zyrtarët e ministrisë është dashur më herët të jenë të kujdesshëm në lidhje me kontratën e re”, thotë Qalaj.

Deputeti Qalaj njoftoi se së shpejti do të thirrët për sqarime ministri i Mbrojtës në Komision.

“Shumë shpejt në Komision do ta thërrasim ministrin e Mbrojtjës i cili duhet të jap disa sqarime se pse kemi ardhur në këtë situatë . Nuk është vetëm cështja e ushqimit janë edhe disa kontrata të tjera që janë pengesë e punës për FSK”, deklaroi Qalaj për “Front Online”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci javën e kaluar pranoi në një intervistë për Dukagjinin se ka pas probleme me tenderin për furnizim me ushqim në FSK.

Ai tha se ka pasur vendime e edhe anulime të tyre, duke aluduar në vendimin e zëvendësit të tij, Shemsi Syla që ky tender të shpallet sekret shtetëror.

Maqedonci tha se tenderin për ushqimin e ka fituar një kompani por nuk është nënshkruar dhe se tenderi është në auditim të brendshëm të Ministrisë./Front Online/

 

 

Komento: