Ushtria amerikane do t’i testojë ushtarakët për mungesë të testosteronit, thotë Hegseth

10:30 | 16 Korrik 2026
ushtria-amerikane-do-t’i-testoje-ushtaraket-per-mungese-te-testosteronit,-thote-hegseth

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka njoftuar se personeli ushtarak i moshës 30 vjeç e lart do t’i nënshtrohet testimit për mungesë të testosteronit si pjesë e kontrolleve vjetore shëndetësore.

Në një video të publikuar në X, me mbishkrimin “High-T Department”, Hegseth tha se ka autorizuar programin e testimit për trupat ushtarake, për t’u siguruar që ato “kanë nivelin e duhur të testosteronit për të funksionuar në nivelin më të lartë të mundshëm”.

Ushtarakëve që rezultojnë me nivele të ulëta të testosteronit do t’u ofrohet terapi zëvendësuese hormonale në baza vullnetare. Për personelin nën moshën 30-vjeçare, testimi do të jetë opsional.

Hegseth nuk sqaroi nëse programi i testimit do të zbatohet edhe për gratë, të cilave gjithashtu u bien nivelet e testosteronit me kalimin e moshës.

“U kemi borxh luftëtarëve tanë kujdesin më të mirë mjekësor në botë dhe ky program përmbush atë detyrim”, tha Hegseth në videon e publikuar të mërkurën.

“Të kujdesesh për shëndetin tënd afatgjatë do të thotë të sigurohesh që të mbetesh i fortë, i qëndrueshëm dhe i aftë – jo vetëm për dislokimin e ardhshëm, por për gjithë jetën, në mënyrë që të jetosh mirë edhe shumë kohë pasi ta heqësh uniformën”, shtoi ai.

Përdorimi i testosteronit për arsye jomjekësore, si për shembull për rritje artificiale të masës muskulore pa recetë të mjekut, është rreptësisht i ndaluar në ushtri.

Hegseth theksoi se programi i ri “nuk ka të bëjë me përmirësim artificial të performancës”.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha në një deklaratë se testimi i detyrueshëm për mungesë të testosteronit do të hyjë në fuqi menjëherë për të gjithë personelin aktiv dhe rezervistët e moshës 30 vjeç e lart.

“Ky protokoll do t’i mundësojë Departamentit të krijojë një bazë të plotë të të dhënave dhe të ofrojë terapi të synuar me testosteron, duke siguruar ruajtjen e një force luftarake të shëndetshme, të aftë dhe me epërsi vendimtare”, tha ai.

Senatorja demokrate nga Illinois, Tammy Duckëorth, veterane e luftës në Irak dhe anëtare e Komitetit për Shërbimet e Armatosura në Senat, i bëri thirrje sekretarit të Mbrojtjes që testimi hormonal të vihet në dispozicion si për burrat, ashtu edhe për gratë.

Kongresistja demokrate nga Pensilvania dhe veterane e Forcave Ajrore, Chrissy Houlahan, e cilësoi nismën në X si “obsesionin më të fundit të Hegseth-it në luftën kulturore”.

Komento: