Ushtria e Kosovës ‘përplas’ Rusinë e Britaninë e Madhe – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Ushtria e Kosovës ‘përplas’ Rusinë e Britaninë e Madhe

11:06 | 09 Shkurt 2019

Formimi i ushtrisë së Kosovës ka qenë temë diskutimi edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Kështu, Rusia dhe Britania e Madhe janë përplasur për ushtrinë e Kosovës.

Në mbledhjen e fundit të mbajtur nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ambasadorja e Britanisë së Madhe në këtë Këshill Karen Pierce edhe njëherë ka ritheksuar se Kosova e ka të drejtën e ushtrisë së vet.

E në lidhje me këtë deklaratë të saj, ka reaguar Ambasada e Rusisë në Londër duke thënë se Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e tjera perëndimore injorojnë kërcënimin që përbën formimi i ushtrisë së Kosovës, ndaj serbëve të veriut.

“Dëshiroj të ritheksoj se Britania e Madhe mendon se është e drejtë e Kosovës si shtet i pavarur dhe vetëqeverisës që të krijoj ushtrinë. Nuk përmban asgjë që parashikon tranzicionin e ardhshëm të FSK-së. E përsëris atë që thash në dhjetor, Kosova ka të drejtën e ushtrisë”, ishte deklarate e ambasadores britanike.

Ambasada ruse ka reaguar ndaj kësaj deklarate duke thënë se kjo ushtri përveç që përbën rrezik të drejtpërdrejtë për serbët e veriut, rrezikon edhe stabilitetin në Ballkan.

“Është për t’u habitur që përfaqësuesit perëndimorë vazhdojnë të injorojnë këtë fakt të dukshëm, për shembull, të përmendur në raportin e fundit gjysmëvjetor të shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Duke pretenduar se formimi i ushtrisë së Kosovës është shkelje e rëndë e Rezolutës 1244, ambasada ruse poashtu është shprehur se BE ka dështuar në ndërmjetësimin e dialogut.

Ambasadorja e Britanisë së Madhe në seancën e Kombeve të Bashkuara ka potencuar fuqishëm se interpretimi ligjor për Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk e ndalon formimin e ushtrisë së Kosovës.

Po ashtu, ambasadorja britanike është shprehur se nuk është e nevojshme të mbahet kaq shpesh mbledhje për Kosovën, pasi shteti po përparon drejt Evropë.

Komento: