Ushtria e Kosovës zyrtarizohet nesër

15:27 | 27 Dhjetor 2018

Republika e Kosovës javë me parë u bë me ushtri.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tha se nesër do t’i nënshkruajë ligjet për ushtrinë dhe se nesër do të zyrtarizohet themelimi i ushtrisë së Kosovës.

Thaçi e ritheksoi se ushtria e Kosovës është e koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas Thaçit, kanë shkuar pesë vjet kot pa ushtri, pasi, sipas tij, ka pasur mundësi që brenda 2014-s të themelohet.

“Shpesh jam ndier shumë i vetmuar në angazhimet dhe përkushtimet e mija me ndërkombëtarët për me themelu ushtrinë, por është mirë që në fund i gjithë spektri politik ka votu”, tha Thaçi.

Thaçi ka thënë se nga arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi, vendi ynë e fiton njohjen nga Serbia dhe pesë vendet e Bashkimit Evropian.

“Po tregoj më së pari se çka fiton se aty jam i fokusuar. Do të thotë e fiton njohjen nga Serbia, e fiton njohjen nga pesë vendet e Bashkimit Evropian nëse arrihet marrëveshja dhe unë shpresoj që do të arrihet dhe besoj në atë drejtim. E fiton njohjen globale sepse do të jetë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, do të bëhet pjesë e të gjitha organizatave ndërkombëtare dhe nuk kemi më nevojë të shkojmë sikur nëpër INTERPOL dhe e fiton të ardhmen e sigurt për në NATO dhe Bashkimin Evropian”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, nëse Kosova nuk arrin marrëveshje e fiton një izolim të plotë ndërkombëtar.

“Çka nëse nuk arrin marrëveshje me fajin e vet, e fiton një izolim të plotë ndërkombëtar, moszhvillim, regres, papunësi edhe një gjendje që nuk e meritojnë qytetarët e Kosovës. Prandaj asnjë lider i vendit nuk guxon të mbajë peng të drejtën e qytetarëve të Kosovës dhe dëshirën e qytetarëve të Kosovës që të lëvizin më shpejt drejt së ardhmes evropiane. E di që ka tillë që mund të thonë se po mirë jemi kështu, natyrisht se mirë janë kryeministrat, presidenti, ministrat, edhe deputetët mund të jenë mirë por qytetarët e vendit nuk janë mirë dhe nuk mund të vazhdohet me këtë status-quo”, ka deklaruar presidenti.

Sipas tij, kjo status-quo është regres për vendin tonë.

Komento: