Ushtria kineze i bashkohet pretendimeve të SHBA për UFO.
Pentagoni duket se nuk është i vetmi që po heton objektet e paidentifikuara qiellore, teksa sipas raportimeve të fundit edhe ushtria kineze ka raportuar gjurmime të objekteve të panjohura fluturuese.
Si ata, edhe Pekini thotë se vitet e fundit ka pasur një shtim të rasteve të pikasjes.
Ushtria kineze thotë se përdor një sistem me tre kategori për hetimin e rasteve të “gjendjeve ajrore të paidentifikuara” – që është emërtimi i përdorur prej tyre, në vend të termit amerikan UFO, që do të thotë “fenomeneve ajrore të paidentifikuara”.
Ata mbështeten për këtë në raportimet e stacioneve të radarëve, te ato të pilotëve të forcave ajrore apo të stacioneve meteorologjikë, për të mbledhur sa më shumë të dhëna mbi objekte misterioze fluturuese.
Analistët kinezë thonë se vitet e fundit janë shtuar “ndjeshëm” vrojtimet e dyshimta sipas raportimeve nga “disa burime ushtarake e civile,” duke bërë që marina të mbështetet në inteligjencën artificiale për selektimin dhe organizimin e të dhënave.
Raportime të tilla përfshijë pamje imazhesh të ngjashme me anije aliene apo objekte të paidentifikuara në hapësirën ajrore të Kinës, për të cilat ekspertët thonë se ka më shumë gjasa “të jenë shkaktuar nga njerëzit sesa nga alienët”.
Rritja e popullaritetit të dronëve personalë të zbavitjes si dhe rritja e aktivitetit ushtarak në Detin e Kinës Jugore, mund të jenë arsye të raportimeve për UFO.
Raportimi i vetëm zyrtar i Kinës për UFO ka ndodhur në 1998, kur dy avionë ushtarakë pikasën një objekt që fluturonte ulët mbi bazën ajrore të Cangzhou, në provincën Hebei. Objekti përshkruhej nga dëshmitarët si një “kërpudhë me bisht të shkurtër” me shufra drite që i dilnin nga pjesa e poshtme. Objekti më pas kishte marrë shpejtësi të madhe e ishte zhdukur nga radarët.
Ndërsa në SHBA, Pentagoni ka nisur të konfirmojë së fundmi vërtetësinë e disa videove ku shihen objekte të paidentifikuara fluturuese, ende pa prova as të lidhjes së tyre me krijesa aliene, e as për mundësinë e të qenit teknologji të reja të krijuara nga kombe të huaja.