Ushtria turke ia uron Pavarësinë e Kosovës, kontingjentit të FSK-së në Hatay

21:42 | 17 February 2023

Ushtria turke ia ka uruar Pavarësinë e Kosovës kontingjentit të Forcës së Sigurisë që gjendet në Hatay të Turqisë për t’u dalë në ndihmë autoriteteve pas tërmeteve shkatërruese të 6 shkurtit.

FSK-ja ka njoftuar se të premten, në 15-vjeton e Pavarësisë, është vizituar në Hatay nga regjimenti i komandos turke.

“Kontingjenti i FSK-së feston 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Hatay të Turqisë. Edhe pse në gjendje të jashtëzakonshme, ushtria turke gjeti kohë të vizitojë ushtaraket tanë që janë në mision në Hatay të Turqisë, dhe t’ia urojnë Pavarësinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në shenjë falënderimi, ushtritë shkëmbyen flamujt e shteteve respektive.

Ekipi i FSK-së gjendet në Turqi pas tërmeteve të javës së shkuar që prekën edhe Sirinë, e që lanë të vdekur mbi 41 mijë njerëz.

Komento: