Një vaj ushqimor, i prodhuar në Serbi, ka rezultuar se nuk i plotëson kriteret për sasinë e produktit dhe Inspektorati i Tregut në Kosovë ka vendosur ta ndalojë shitjen e produktit e ta tërheqë nga tregu, ka bërë të ditur të premten Ministria e Industrisë.
Sipas njoftimit, laboratori i parapaketimeve në Agjencinë e Metrologjisë ka konstatuar se ky vaj s’i plotëson kriterin e mesatares për sasi dhe “si rrjedhojë Inspektorati i Tregut, si në çdo rast tjetër ka ndërmarrë masa në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, respektivisht operatorit ekonomik, importues i këtij vaji , i është ndaluar shitja e këtij produkti dhe tërheqja nga tregu në afat prej 15 ditësh”.
Në njoftim theksohet se Inspektorati në vazhdimësi kryen verifikime dhe inspektime në terren për t’i mbrojtur konsumatorët.
Ministria e Industrisë ka kërkuar nga qytetarët që të jenë të vëmendshëm gjatë blerjeve e të adresojnë çdo ankesë.