Vajza 8 vjeҫare nga Drenasi goditet nga vetura, kjo është gjendja e saj

18:35 | 08 Maj 2019

Një ngjarje mjaftë e rëndë ka ndodhur në Drenas.

Të martën në fshatin Fushticë e Poshtme një 8-vjeçare është goditur nga një veturë.

Ajo është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërkaq babai i saj ka thënë se vajza e tij është në gjendje kome.

Ishte duke u kthyer nga shkolla për në shtëpi, por 8-vjeçarja u godit në rrugë nga një veturë.

Pas aksidentit, ajo u dërgua në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa momentalisht është në gjendje kome. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express babai i saj, Xhemail Morina.

“Sot e kam vizitu, në komë është. Ka thyerje në trup, nesër do të ja bëjnë një incizim”, ka thënë Morina.

Ndërkaq për aksidentin në fjalë kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale e Prishtinës.

“Ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime të rënda trupore, këmbësori i lënduar është 8 vjeç dhe është dërguar për tretman mjekësor, me rastin po merret njësiti i trafikut”, ka thënë Flora Ahmeti, Zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës

Drejtori i shkollës “24 Korriku” në fshatin Fushticë e Epërme, ku 8-vcjeçarja vijon mësimet, Osman Osmani, ka thënë se ky nuk është rasti i parë i goditjes së një fëmije nga vetura në afërsi të shkollës.

Ai ka thënë se në muajin shkurt një nxënës tjetër është goditur nga vetura, në të njëjtën rrugë.
Nxënësi në fjalë ka pësuar lëndime të rënda trupore nga goditja, por që nuk kanë qenë lëndime fatale.

E sipas tij kjo po bëhet sepse në atë rrugë nuk ka pengesa të cilat detyrojnë drejtuesit e automjeteve të vozisin më ngadalë.

Osmani ka treguar po ashtu se ka dorëzuar dy kërkesa në Ministrinë e Shërbimeve Publike, për vendosjen e mbrojtësve përreth rrugës, në mënyrë që të mbrohet jeta dhe siguria e fëmijëve.

Por, ai thotë se për kërkesat e tij nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ana e Ministrisë.

Komento: