Vajza e heroit fjalë emocionuese në ditën e diplomimit: Babë u kry!

22:18 | 25 June 2019

Arnisa Morina është vajza e Mehdi Morinës, një prej heronjve të luftës së Kosovës në vitin 1999, e cila u diplomua si avokate në Universitetin prestigjioz të Kanadasë “Osgoode Hall Law School”.

Ajo ishte vetëm 3-vjeçare kur serbët i vrarë të atin në masakrën e Gollubovcit të Malishevës dhe ky moment shërbeu për t’i bërë premtimin se një ditë do të bëhej avokate e të drejtave të kosovarëve ndaj çdo padrejtësie të kryer ndaj tyre.

E kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, Morina thotë se realizoi premtimin e bërë, kur i ati dha jetën për Kosovën.

“BABË, u kry, ashtu siç të premtova. Të don shumë vajza, Bija jote e vogël, avokatja. Nëse do të ishit këtu me mua sot, babi, unë do të kisha parë sytë tuaj të ndriçonin me krenari, sepse vajza jote e vogël u diplomua sot nga shkolla e drejtësisë dhe është bërë Avokate. Unë nuk u dorëzova asnjëherë babi, sepse në venat e mia rrjedh gjaku e heronjve të mi”, rrëfen ajo.

Vetëm disa ditë më parë, Konsullata e Kosovës në Toronto zhvilloi një aktivitet në kujtim të 20-vjetorit nga ndalja e bombardimeve të NATO-së kundër forcave serbe në Kosovë në ambientet e Parlamentit të Ontarios në Queen’s Park, ku përveç Vasfije Krasniqi Goodman (viktimë e luftës dhe themeluese e “Justice for all”, deputetes kosovare Mimoza Kusari Lila, mbajti fjalën e saj edhe Arnisa Morina.

Historia e Morinës është bërë e njohur gjithashtu edhe nga prestigjiozja “Dream Refugee” .

Për komunitetin shqiptar Arnisa është një emër i njohur, sepse jep kontributin e saj për Albanian Excellence Society (ACE).

Ministri i Diasporës së Shqipërisë, Pandeli Majko e ka vlerësuar si një nga profesionistet e reja shqiptare në Kanada.

Komento: