Vaksina e financuar nga Bill Gates nis testimin te njerëzit

16:03 | 08 April 2020

Vaksina e financuar nga Bill Gates tashmë ka filluar testimin te njerëzit.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka filluar testimi i një vaksine të financuar nga Bill Gates.

40 vullnetarëve u është administruar doza e parë e vaksinës që ka dhënë rezultate të shkëlqyera tek kafshët. Rezultatet e para të testimit, të kryer nga kompania Biotech Inovio, priten në fund të pranverës.

Bëhet fjalë për një vaksinë të përgatitur pikërisht nga kompania amerikane Inovio, që ka filluar kështu testimet tek njeriu pas dritës jeshile të dhënë nga administrata amerikane për ushqimin dhe ilaçet.

Një eksperiment ky i financuar pjesërisht nga fondacioni Bill e Melinda Gates dhe nga koalicioni për gatishmërinë përballe epidemive, pas rezultateve pozitive tek kafshët.

Vullnetarët, janë përzgjedhur në Filadelfia dhe Kansas City, dhe do të marrin dozën e dytë të vaksinës, të quajtur Ino 4800, pas katër javësh.
Një hap i rëndësishëm përpara – ka thënë presidenti dhe drejtuesi i kompanisë Inovio, Joseph Kim, kundër një virusi që pa një vaksinë do të vazhdojë të kërcënojë jetët e njerëzve.

Kërkuesit e kompanisë janë vënë në lëvizje që nga janari, kur sekuenca gjenetike e virusit u bë e disponueshme, për të garantuar avancimin e shpejtë të vaksinës.

Tani, sfida për kompaninë është ajo e prodhimit të një vaksine brenda vitit të ardhshëm.

Reagimet imunitare fillestare të 40 vullnetarëve dhe të dhënat e sigurisë së studimit pritet të dalin shpejt.

Në atë pikë, Invio parashikon të fillojë studimet e efikasitetit.

Paralelisht kompania po kërkon edhe të rrisë prodhimin e Ino 4800 dhe parashikon se do të mundë të përgatisë një milionë doza brenda fundit të vitit për studime të mëtejshme dhe emergjenca, në pritje të udhëzimeve të duhura dhe financimeve të përshtatshme.

Komento: