Vaksinat e Serbisë kundër Cvid në Kosovë, ministri Selimi kërkon nga Prokuroria nisjen e hetimeve

22:01 | 26 Dhjetor 2020

Ministri Selimi kërkesë publike policisë e prokurorisë.

Ministri i Drejtësisë, Selimi Selimi i ka bërë thirrje publike Prokurorisë dhe Policisë që të hetojnë hyrjen e vaksinave ilegale anti-COVID19 nga Serbia në territorin e Kosovës.

Këtë thirrje ai e ka publikuar me anë të një postimi në Facebook, teksa ka thënë se Kosova ka sistemin e prurjes së vaksinave përmes MSH-së dhe çdo medicament tjetër mund ta cënojë sigurinë kombëtare.

Postimi i plotë i ministrit Selimi:

Kërkesë publike për Prokurorinë dhe Policinë

Ftoj Kryeprokurorin e Shtetit dhe U.D. Drejtorin e Policisë së Kosovës që të fillojnë hetimet për hyrjen e vaksinave ilegale në veri. Përtej obligimit tonë që të sigurojmë shëndetin e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim etnie, Republika e Kosovës ka sistemin e prurjes së vaksinave përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKShP-së. Çdo vaksinë ose medikament që hyn jashtë ketij sistemi mund të jetë ilegal dhe ta cenoj sigurinë kombëtare të Republikës.

Ne nuk kemi ndarje të privilegjit se kush merr vaksinë më herët apo më vonë. Çdo qytetar i Republikës është i barabartë. Rrugët e kontrabandës duhet të hetohen dhe të mbrohet integriteti territorial.

Ky sistem i kamufluar si çështje humanitare jep indikacion se ka rrugë të kontrabandës në veri. Këto rrugë duhet të mbyllen! Çështjet humanitare janë udhërrëfyes yni, por duhet të bëhen rrugëve zyrtare si dy shtete.

Nuk kemi qytetar të kategorisë së parë ose të dytë. Të gjithë jemi kosovarë dhe si të tillë i obligohemi vetëm nje Kushtetute e një ligji.

Kemi sistem unitar të shtetit. Tendencat e Serbisë për ta rrezikuar këtë sistem, qoftë edhe në sistem shëndetesor, përbën cenim të integritetit tonë.

Komento: