Valon Byci nga Gjakova ka treguar historinë tragjike të familjes Vesa ku u vranë 21 persona e masakruan gjatë luftës dhe i vetmi i shpëtuar, i cili mbeti i plagosur, ishte nipi i Valonit, Dreni.
Në Euronews Albania, ai ka thënë se në familjen Vesa, ai ka humbur motrën e tij me tre vajzat e saja.
“Në familjen Vesa kam humbur motrën me tre vajzat e saj dhe i vetmi që ka shpëtuar ka qenë Dreni, është nipi im, i cili mbijetoi mes 21 peronave që i kanë masakruar dhe vrarë serbët. Motra ime e mori mbesën dy vjeçare afër vetes për ta shpëtuar nga plumbat dhe ajo ishte gjallë dhe kërkoi ndihmë prandaj Drenit i ka ngelur peng në jetë që nuk e shpëtoi dot se tymi kishte mbuluar shtëpinë dhe ai u largua i plagosur”, thotë Valon Byci.
Valoni tregon momentin kur e mori vesh lajmin në Kukës dhe takimin me nipin e plagosur te kampi italian në Shqipëri, të vetmin të mbijetuar nga masakra serbe në familjen Vesa.
“Ne shkuam si familje në Kukës se kishim të afërt atje dhe vëllai im mësoi ngjarjen që kishte ndodhur në familjen Vesa ku unë kisha motrën me mbesat dhe nipin. Ishte e pabesueshme për ne dhe i thashë vëllait a je mirë se çfarë po thua për Valbonën dhe vajzat. Më tha, po Valon, vetëm Dreni është gjallë dhe i plagosur. Të nesërmen Dreni erdhi i plagosur në Kukës te kampi italian. Shkuam ta shihnim Drenin atje dhe më pyesnin prindërit ku është motra me mbesat por dëgjuan Drenin dhe mësuan dhe ato për tragjedinë dhe ishin momente shumë të vështira ku i vetmi ngushëllim për ne ishte shpëtimi i Drenit. Nipin e çuan në Tiranë në spital dhe pasi u shërua shkoi në Kanada edhe sot gjendet atje po e ka të humbur nënën, tre motrat, por ishalla ai ka ditë të mira në këtë jetë”.
Valoni thotë se nipi Dreni i kishte thënë që disa prej kriminelëve i njihte dhe sot e kësaj dite ata janë të lirë dhe sipas tij ky është një zhgënjim shumë i madh./Gazeta10