Varianti Delta në mesin e sëmundjeve më ngjitëse që njeh shkenca

22:31 | 23 July 2021

Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve: Varianti Delta në mesin e sëmundjeve më ngjitëse që njeh shkenca.

Drejtoresha e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky deklaroi gjatë një konference për shtyp se varianti Delta i koronavirusit është një ndër sëmundjet më ngjitëse që shkenca njeh deri në ditët e sotme.

Sipas saj, rastet e reja me këtë variant janë duke u përhapur me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për këtë arsye iu bëri sërish thirrje qytetarëve që të vaksinohen, si e vetmja mënyrë për të shmangur rastet e rënda të sëmundjes dhe shtrimet në spital.

“Varianti Delta po përhapet me shpejtësi të madhe dhe tani përbën mbi 83 për qind të infektimeve në Shtetet e Bashkuara. Krahasuar me virusin që qarkullonte në ShBA në fillim të pandemisë, varianti Delta është shumë më i ashpër dhe më ngjitës. Udhëzimi ynë është i qartë që kur e publikuam para disa muajsh. Nëse nuk jeni vaksinuar vazhdoni mbajtjen e maskës për të mbrojtur veten dhe të tjerët rreth jush. Dhe më e rëndësishmja, duhet të vaksinoheni për të mbrojtur më mirë veten”, tha Walensky, shkruan a2news.

Disa orë më herët OBSH konfirmoi se dhe në Europë rastet e infektimeve me variantin Delta tashmë janë dominante.

Komento: