Varianti i ri i Covid-19, çfarë dihet deri më tani për të?

21:04 | 01 January 2021

Çfarë dimë deri tani për variantin e ri të Covid-19?

Varanti i ri ka zgjuar shqetësim dhe shumë pikëpyetje.

A përhapet më lehtë?

A shkakton sëmundje më të rëndë?

Si reagon ndaj vaksinës dhe terapive mjekësore?

Pyetjet po shtohen po aq shpejt sa vetë variantet e reja të koronavirusit, sidomos varianti i shfaqur për herë të parë në Britani dhe që tani është identifikuar në disa vende të tjera, përfshirë SHBA.

Shkencëtarët thonë se nuk ka arsye për t’u shqetësuar dhe se në përgjithësi variantet e reja nuk duhet të na alarmojnë.

Shqetësimet e kanë burimin tek komentet e kryeministrit britanik para Krishtlindjes se varianti i ri është më ngjitës dhe po përhapej më me shpejtësi në Angli. Të martën, zyrtarët e shëndetësisë në Kolorado thanë se kishin diagnostikuar një individ të prekur nga ky variant. Të mërkurën një rast tjetër u zbulua në Kaliforni.

Ja disa pyetje mbi variantin e ri dhe shpjegime bazuar në ato që dihen deri tani:

Nga e ka origjinën ky variant?

Variante të reja ka pasur që nga momenti që koronavirusi u shfaq për herë të parë në Kinë afro një vit më parë. Viruset pësojnë mutacione, apo shfaqin ndryshime të ndryshme gjatë riprodhimit dhe përhapjes në popullatë.

Pjesa më e madhe e ndryshimeve janë të papërfillshme. “Për shembull ndryshime në një apo dy gërma të kodit gjenetik që nuk ndikojnë tek aftësia e virusit për të sëmurur individin,” thotë Dr. Philip Landrigan, ish-shkencëtar në Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe aktualisht kryesues i programit për shëndetin global në Kolegjin e Bostonit.

Situata bëhet më shqetësuese kur virusi pëson mutacione në proteinat që ka në sipërfaqe dhe që e bëjnë të aftë të mbrohet nga ilaçet apo goditja e sistemit imunitar, ose kur pëson një numër ndryshimesh që e bëjnë të reagojë shumë ndryshe nga virusi origjinal.

Çfarë e bën një variant dominues?

Nëse një variant ekziston në numra të konsiderueshëm dhe fillon të përhapet në një zonë, apo në aktivitete me pjesëmarrje të lartë ku ka përhapje të shumëfishuar, varianti mund të bëhet dominues.

Por mund të ndodhë edhe kur falë një mutacioni, një variant i ri gëzon avantazh që i lejon të përhapet më shpejt se variantet e tjera në qarkullim.

Shkencëtarët vazhdojnë punën studimore për të konfirmuar nëse varianti i diktuar fillimisht në Angli është vërtetë më ngjitës se sa të tjerët. Deri tani ka prova se ky variant është më i fortë në konkurrencë me variantet e tjera, lëviz më shpejt dhe infekton më shumë njerëz, thotë Dr. Landrigan.

Varianti britanik u identifikua fillimisht në shtator, thanë zyrtarët e OBSH-së. Në Afrikën e Jugut është diktuar një variant tjetër që po përhapet në popullatë.

Përse është shqetësues varianti britanik?

Ky variant përmban mbi 20 mutacione, tetë prej të cilave në zgjatimet që i shërbejnë virusit për të penetruar dhe infektuar qelizat e njeriut. Këto zgjatime janë në shenjestër të kurave mjekësore dhe vaksinave kundër koronavirusit.

Dr. Ravi Gupta, virolog në Universitetin e Kembrixhit tha se modeli laboratorik çon në përfundimin se mund të jetë dy herë më ngjitës se variantet që kanë dominuar deri tani në Angli. Dr. Gupta dhe studiues të tjerë publikuan një raport në internet, për të ndarë me kërkues të tjerë rezultatet e punës së tyre, por raporti ende nuk është analizuar zyrtarisht dhe nuk është botuar në ndonjë revirstë shkencore.

A shkakton varianti i ri sëmundje më të rëndë ose rrezik më të lartë nga vdekja?

“Deri tani nuk ka shenja se rrit seriozitetin e sëmundjes apo rrezikun nga vdekja, por janë shqetësime që duhen mbajtur parasysh,” thotë Dr. Landrigan. Me shtimin e numrit të të infektuarve nga varianti i ri, “do të mësojmë shumë shpejt nëse shkakton sëmundje më të rëndë”.

Maria Van Kerkhove, eksperte për epidemitë pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se “informacioni që kemi deri tani tregon se nuk ka ndryshime” në llojin e simptomave apo seriozitetin e sëmundjes.

Si ndikojnë tek kurat mjekësore këto mutacione?

Disa raste në Angli kanë shkaktuar shqetësim se mutacionet në disa variante të reja mund të ulin efektivitetin e ilaçeve që përpiqen të forcojnë reagimin e imunitetit.

Zonja Van Kerkhove thotë se po bëhen studime për të analizuar si ndikohet reagimi imunitar.

Kompania farmaceutike Eli Lilly tha se analizat laboratorike çojnë në përfundimin se ilaçet mbeten plotësisht të efektshme.

Po vaksinat?

Shkencëtarët besojnë se vaksinat që janë miratuar deri tani do të jenë të efektshme edhe kundër variantit të ri, por ende vazhdon puna për ta konfirmuar këtë bindje. Të mërkurën, zyrtarët britanikë theksuan se nuk ka të dhëna që tregojnë se varianti i ri është më rezistent përballë vaksinës.

Vaksinat fuqizojnë reagimin e sistemit imunitar, prandaj pritet që ky efekt të jetë ende i pranishëm, thonë shkencëtarët.

Çfarë duhet të bëjë individi për të ulur rrezikun?

Respektimi i protokolleve mbrojtëse: vënia e maskës, larja e duarve rregullisht dhe shmangia e turmave mbeten masat më të efetkshme mbrojtëse.

“Me pak fjalë, duhet të pengojmë përhapjen e virusit,” tha drejtori i përgjithshëm i OBSH, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Sa më shumë përhapet, aq më shumë mutacione shfaqen”.

Komento: