Variantit i ri i koronavirusit, shtetet e fuqishme marrin këto masat

18:17 | 20 Dhjetor 2020

Shtetet e fuqishme marrin masat e para ndaj variantit të ri të koronavirusit.

Vendet evropiane kanë reaguar ndaj zbulimit të një varianti të ri të COVID-19 në Angli me shpejtësi shumë të madhe të përhapjes, duke njoftuar anulimin e fluturimeve që transportojnë pasagjerë nga Britania e Madhe, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë u bëri thirrje anëtarëve të saj në Evropë të shtojnë masat ndaj variant të ri.

Austria, Belgjika, Italia dhe Holanda kanë reaguar menjëherë për ta ndaluar udhëtimin nga Britania e Madhe të dielën, ndërsa plane të ngjashme thuhet se po konsiderohen edhe nga Franca dhe Gjermania, raporton The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Lëvizjet erdhën ndërsa miliona njerëz në Londër dhe juglindje të Anglisë nisën ditën e parë të një bllokimi të ri total dhe ministri i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, Matt Hancock, tha se lloji i sapo identifikuar i virusit ka dalë “jashtë kontrollit“.

Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, i tha kanalit televiziv belg, VRT se ndalimi do të jetë në fuqi për të paktën 24 orë.

Ministri i jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, tha se qeveria ka vendosur të vepronte pasi Mbretëria e Bashkuar “ngriti alarmin për një formë të re të të Covidit si rezultat i një mutacioni të virusit”.

Ai shtoi se “Si qeveri ne kemi për detyrë të mbrojmë italianët dhe për këtë arsye, pasi të kemi paralajmëruar qeverinë britanike, Ministria e Shëndetësisë do të nënshkruajë një dispozitë për pezullimin e fluturimeve me Mbretërinë e Bashkuar. Prioriteti ynë është ta mbrojmë Italinë dhe bashkatdhetarët tanë”.

Austria po planifikon gjithashtu t’i ndalojë fluturimet, tha agjencia e lajmeve APA, duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë.

Ndalimi holandez, i cili hyri në fuqi nga ora 6 e mëngjesit me kohën lokale të dielën, do të zgjasë deri më 1 Janar.

Gjermania dëshiron t’i ndalojë të gjitha fluturimet nga Britania e Madhe nga mesnata deri më 6 janar, njoftoi gazeta Bild, duke cituar burime qeveritare. Kabineti i kancelares gjermane Angela Merkel do të votojë më vonë gjstë së dielës mbi një dekret të përgatitur nga ministri i Shëndetësisë, shkruan gazeta.

Merkel zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin francez Emmanuel Macron dhe shefat e BE-së, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel në lidhje me këtë çështje.

Franca po e konsideron gjithashtu pezullimin e fluturimeve dhe trenave nga Britania, njoftoi televizioni BFM.

OBSH tha se është në kontakt të ngushtë me zyrtarë britanikë dhe se jashtë Britanisë së Madhe nëntë raste të llojit të ri janë raportuar në Danimarkë, si dhe një rast në Hollandë dhe një tjetër në Australi. “Në të gjithë Evropën, ku transmetimi është intensiv dhe i përhapur, vendet duhet t’i dyfishojnë qasjet e tyre të kontrollit dhe parandalimit”, tha një zëdhënëse e OBSH-së në Evropë.

Qeveria spanjolle tha se i kishte kërkuar Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian që të dilnin me një “përgjigje të përbashkët, të koordinuar” për situatën, por shtoi se do të “veprojë në mbrojtje të interesave dhe të drejtave të qytetarëve spanjollë”.

Komisioni Evropian nuk iu përgjigj menjëherë një pyetje të AFP nëse një ndalim i udhëtarëve nga MB do të rekomandohej për të gjitha vendet e BE-së.

Izraeli gjithashtu vendosi masa të reja që ndalojnë hyrjen për ata që vijnë nga Mretëria e Bashkuar, Danimarka dhe Afrika e Jugut të dielën, duke përmendur frikën mbi variantet e Covidit. Qytetarët e Izraelit që vijnë nga ato vende duhet të futen në izolim në hotelet e karantinës të drejtuara nga shteti për 14 ditë.

Vendimi i miratuar me nxitim çoi në skena konfuze në aeroportin ndërkombëtar të Izraelit, ku sipas mediave vendase rreth 130 pasagjerë në dy fluturime nga Londra u informuan për kërkesat e reja të karantinës vetëm pas mbërritjes.

Policia u thirr në vendngjarje pasi disa refuzuan, njoftoi mediumi Kanal 12, duke shtuar se 12 persona vendosën të ktheheshin në MB.

Komento: