Vasfije Krasniqi: Do të përpiqem të jem edhe zëri i atyre që ndër vite vdiqën në errësirën e dhimbjes dhe traumës

20:04 | 30 Dhjetor 2023
vasfije-krasniqi:-do-te-perpiqem-te-jem-edhe-zeri-i-atyre-qe-nder-vite-vdiqen-ne-erresiren-e-dhimbjes-dhe-traumes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar ish-deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi Goodman si të Dërguar të Posaçëme Presidenciale për dhunën seksuale gjatë luftës.

Lidhur me këtë ka reaguar vetë Krasniqi Goodman, e cila përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se kjo detyrë do të jetë një tjetër hap për të përfaqësuar zërin e mijëra viktimave të Kosovës dhe të tjerave shtete që kanë qenë pre e dhunimit si armë lufte në konflikte të ndryshme.

Përderisa dhuna seksuale në luftë po ballafaqohet me kulturën e mohimit dhe mosndëshkimit,  të mbijetuarit vazhdojnë ta jetojnë luftën që si fushëbetejë pati edhe trupat e tyre. Atë që ua mori jetën pa i vrarë.

Si përfaqësuese e Kosovës, ndjej falenderim dhe përgjegjësi të dyfishtë për këtë rol, në avokim dhe veprim, për këtë çështje, për të rritur ndërgjegjësimin për parandalimin dhe veprimin për drejtësi.

Do të përpiqem të jem edhe zëri i atyre që ndër vite vdiqën në errësirën e dhimbjes dhe traumës së tyre”, shkroi ajo.

Krasniqi Goodman është ndër gratë e para në Kosovë që publikisht ka treguar se ishte dhunuar seksualisht nga forcat serbe në vitin 1999.

Viteve të fundit ajo ka qenë aktive duke kërkuar drejtësi për viktimat e dhunës seksuale dhe është nderuar më 2018 me çmimin “Qytetar i Merituar i Republikës së Kosovës”, pas historisë që ka ndarë me botën për atë që ka përjetuar gjatë luftës.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 14 shkurt 2021, Vasfije Krasniqi Goodman, garoi për herë të parë për pozitën e deputetes në Kuvendin e Kosovës.

Ajo garoi në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë që fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit dhe aktualisht qeveris me vendin.

Por në shtator të vitit të shkuar, Krasniqi Goodman dha dorëheqje nga posti i saj si deputete, e që tha se do të vazhdojë angazhimin e saj publik për Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç tha, në veçanti në Kongresin Amerikan.

Komento: