Vasfije Krasniqi-Goodman jep dorëhiqje nga posti i deputetes, shkak gjendja e saj shëndetësore

18:07 | 21 September 2022

Vasfije Krasniqi-Goodman dorëhiqet nga posti i deputetes, shkak gjendja e saj shëndetësore.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetes, për shkaqe shëndetësore.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se për këtë dorëheqje ka njoftuar edhe Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konnjufca, si dhe kryesinë e Kuvendit.

“Duke qenë se jam në një trajtim mjekësor, dhe si rezultat në këtë fazë të trajtimit më duhet që për çdo muaj të kem vizita të rregullta, dhe përderisa i njëjti mund të zgjas, mua më vështirësohet, përkatësisht pamundësohet tani dhe ndoshta edhe në të ardhmen realizimi i obligimeve të mija si deputete. Kështu edhe përkundër dëshirës sime që unë të vazhdoj me përfaqësimin e juaj në Kuvend, më duhet të ju njoftoj se unë kam vendosur të japë dorëheqje nga pozita e deputetes. Rrjedhimisht për këtë dorëheqje sapo kam njoftuar edhe Kryetarin e Kuvendit z. Glauk Konnjufca, si dhe kryesinë e Kuvendit”, ka shkruar Krasniqi.

Ajo ka thënë se do të vazhdoj angazhimin publik për Kosovën në SHBA, sidomos në Kongresin Amerikan.

“Si rezultat i këtij angazhimi besoj që së shpejt do të shihen të arriturat e para. Kam besimin e plotë që së bashku me miq, njerëz të vullnetit të mirë, punëtorë e vizionarë, kauza e fitores së drejtësisë në Kosovë do të triumfojë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Postimi i saj i plotë:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Duke qenë se jam në një trajtim mjekësor, dhe si rezultat në këtë fazë të trajtimit më duhet që për çdo muaj të kem vizita të rregullta, dhe përderisa i njëjti mund të zgjas, mua më vështirësohet, përkatësisht pamundësohet tani dhe ndoshta edhe në të ardhmen realizimi i obligimeve të mija si deputete. Kështu edhe përkundër dëshirës sime që unë të vazhdoj me përfaqësimin e juaj në Kuvend, më duhet të ju njoftoj se unë kam vendosur të japë dorëheqje nga pozita e deputetes. Rrjedhimisht për këtë dorëheqje sapo kam njoftuar edhe Kryetarin e Kuvendit z. Glauk Konnjufca, si dhe kryesinë e Kuvendit.

Sidoqoftë ashtu si edhe deri më sot, unë do të vazhdoj angazhimin publik për Kosovën në SHBA, sidomos në Kongresin Amerikan. Si rezultat i këtij angazhimi besoj që së shpejt do të shihen të arriturat e para. Kam besimin e plotë që së bashku me miq, njerëz të vullnetit të mirë, punëtorë e vizionarë, kauza e fitores së drejtësisë në Kosovë do të triumfojë.

Gjithsesi më lejoni të falënderoj Lëvizjen Vetëvendosje për besimin, hapësirën, mbështetjen dhe qasjen ndaj meje, falenderim i veçant për Kryeministrin e Rebublikës së Kosovës z: Albin Kurti i cili vërtet ka treguar se është i gatshëm dhe i vendosur që çështjen e krimeve të luftës ta trajtoi seriozisht, nuk duhet harruar as, të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur në Kuvendin e Republikës së Kosovës të cilët vërtet treguan se përtej dallimeve politike dhe politikave ditore mund të mbizotërojë njerëzorja tek secili prej nesh.

E në fund falënderimi më i madh u shkon qytetarëve të Republikës së Kosovës të cilët duke më dhënë besimin, më dhanë edhe mundësinë dhe nderin t’i përfaqësoj në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me respekt të thellë, e juaja Vasfije Krasniqi

Komento: