“Vazhdimisht nënvlerëson sulmet e Vuçiqit ndaj demokracisë”, Parlamenti Evropian kërkon hetime ndaj Varhelyit

19:59 | 18 Janar 2023

Me iniciativë të Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian, është kërkuar një hetim i pavarur dhe i paanshëm ndaj komisionerit hungarez për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi.

Kjo pasi Parlamenti tha se është i brengosur që, përmes veprimeve të tij në Ballkanin Perëndimor, komisioneri Varhelyi shkel Kodin e Sjelljes për Anëtarët e Komisionit Evropian.

Thirrja e S&D u prefshi në raportin vjetor mbi politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë (CFSP) të miratuar në seancë plenare pasditen e sotme.

Socialistët dhe Demokratët thanë se janë të alarmuar nga raportet se komisioneri Varhelyi qëllimisht kërkon të minojë qendrën e reformave demokratike dhe të sundimit të ligjit në vendet drejt anëtarësimit në BE.

“Komisioneri vazhdimisht nënvlerëson sulmet e presidentit serb Vuçiq ndaj demokracisë dhe, dyshohet se ka ndihmuar edhe veprimet separatiste të Milorad Dodikut në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH)”, theksuan këta deputetë.

S&D-ja arriti të vë një vulë të fortë në raportin e CFSP-së kur bëhet fjalë për rritjen e mbështetjes së BE-së për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Raporti mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, bën thirrje për sanksione ndaj Milorad Dodikut dhe organizatorëve të Ditës jokushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar, dhe denoncon përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar rajonin.

Thijs Reuten, raportues në hije i S&D për politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, thotë:

“S&D-ja ra dakord për kandidaturën e komisionerit Varhelyi me kusht që ai të veprojë vetëm në interes të të gjithë BE-së. Jo në interes të qeverisë në Budapest. Tani, tre vjet në detyrë, ka arsye serioze për të besuar se Komisioneri ndjek agjendën e zotit Orban”.

“Roli i Komisionit Evropian është të mbrojë integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës, të promovojë demokracinë në Serbi dhe të sigurojë paqen dhe stabilitetin në Mal të Zi dhe Kosovë. Jo e kundërta. Mbështetja e qëndrimeve nacionaliste dhe separatiste të Dodikut nuk do të ishte vetëm kundër Kodit të Sjelljes për anëtarët e Komisionit Evropian, por edhe lojë me zjarrin”, tha Reuten.

Përgjegjësia për Komisionin, tha ai, është thelbësore. “Ne nuk bëjmë gjykime. Kjo varet nga rezultati i hetimit. Por raportet e vazhdueshme për Komisionerin e Orbanit që shoqërohet me autokratë për të minuar demokracinë kërkojnë veprim të menjëhershëm. Ne nuk mund të lejojmë që një komisioner i akuzuar për mbështetje të secesionistëve të turbullohet në vendet që do të anëtarësohen në BE”.

Komento: