Po vazhdojnë kolonat e pritjet e gjata në pikat kufitare në Kosovë.
Edhe më tutje bashkatdhetarët janë duke u përballur me pritje e kolona të gjata në dalje të Kosovës.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar statistikat e fundit për fluksin në pikëkalimet kufitare.
Në bazë të këtyre të dhënave, bashkatdhetarët janë duke u përballur me pritje dhe kolona të gjata në dalje të Kosovës, shkruan lajmi.net.
Në pikëkalimin kufitar në Muçibabë pritja si në hyrje ashtu edhe në dalje të Kosovës është një orë dhe kolona ka arritur deri në 300 metra.
Po ashtu pritje në dalje të Kosovës ka edhe te Dheu i Bardhë. Atje bashkatdhetarët janë duke pritur deri në 40 minuta ndërkaq kolona ka arritur deri në 150 metra, shkruan më tutje lajmi.
Krahasuar me ditët e kaluar, ku qytetarët kanë pritur me orë të tëra në dalje të Kosovës në pikëkalimin kufitar Merdare, bazuar në të dhënat e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, momentalisht në këtë pikë kufitare pritja është maksimumi 20 minuta dhe kolona është 80 metra.
Ndërkaq nëpër të gjitha pikat e tjera kufitare pritja është 15 minuta si në hyrje ashtu edhe në dalje të Kosovës.