Vazhdojnë shkarkimet lidhur me rastin e futjes së foshnjës në rrobalarës

20:31 | 24 December 2022

Rasti i futjes së foshnjës në rrobalarëse, vazhdojnë shkarkimet.

Gati tetë ditë u mbajt sekret, rasti i foshnjës së porsalindur, që dyshohet se u fut në rrobalarëse.

E rrjedhimisht nuk u njoftua as për shkarkime për përgjegjësit e kësaj ndodhie në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës e as në institucionet të tjera që mbikëqyrin punën e tij.

Por, katër ditë pasi informacioni u bë publik, shkarkimet nuk kanë të ndalur, njofton Klan Kosova.

Të fundit që u larguan nga puna janë dy drejtorë.

“Në kuadër të masave lidhur me rastin e trajtimit të frytit të vdekur në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, Drejtori Ekzekutiv ka shkarkuar Drejtorin Mjekësor dhe Drejtorin për Infermieri”, thuhet në komunikatën e spitalit.

Për mungesë komunikimi, informimi të drejtë dhe mosadresim në kohë i rastit nga ana e Inspektoratit Shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë shkarkoi të enjten edhe ushtruesin e detyrës së shefit të Inspektoratit, Shaban Osmanaj.

Përjashtim total jo, por pezullim nga puna të mërkurën pati edhe për katër mami, dy punëtorë teknikë e një pastruese të këtij spitali.

Por, ky institucion mund të përballet edhe me padi nga familjarët e foshnjës të cilët e paralajmëruan këtë ditë më parë.

Me ngjarjen aktualisht edhe po merret prokuroria, të cilët po presin rezultatet e Inspektoratit Shëndetësor për hapat e mëtejmë.

Komento: