Vazhdojnë të jenë të mbyllura pikëkalimet kufitare në Merdarë dhe Bërnjak

17:49 | 07 Shtator 2024
vazhdojne-te-jene-te-mbyllura-pikekalimet-kufitare-ne-merdare-dhe-bernjak

Pikëkalimet kufitare në Merdarë e Bërnjak kanë qëndruar të mbyllura edhe pasditen e së shtunës.

Ekipi i Ekonomia Online ka qëndruar në pikëkalimin në Merdarë të Podujevës, ku zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë kthyer mbrapa veturat, në mënyrë që qytetarët të mos ballafaqohen me personat e maskuar në Serbi.

Që nga ora 18:00 e ditës së djeshme, grupe ekstremistësh serbë bllokuan disa nga pikëkalimet kufitare me Kosovën nga ana e Serbisë.

Siç u raportua, në rrugët që çojnë nga Serbia për në Merdarë, Jarinjë dhe Bërnjak, serbë edhe të maskuar, nën shoqërinë e policisë serbe, kishin dalë afër kufijve duke mos lejuar kalimin e shtetasve me dokumente të Republikës së Kosovës.

Radomir Rojeviq, kryetar i Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut Kosovë-Mitrovicë, i cili edhe ka organizuar këto bllokada, pati thënë se do të lejohen vetëm automjetet spitalore dhe qytetarët me dokumente të Serbisë – jo edhe ata me të Republikës së Kosovës.

Mbrëmë në orët e vona, një familje kosovare ishte nisur nga Spitali i Prishtinës në drejtim të Gjermanisë për ta dërguar fëmijën e tyre për trajtim.

Ata kishin kaluar kufirin e Kosovës, mirëpo nuk u lejuan të shkojnë tutje nga maskat serbe, duke u detyruar të kthehen mbrapsht.

Për këtë rast reaguan ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

Ata akuzuan edhe presidentin serb, Alleksandar Vuçiq, se qëndron prapa këtyre bllokadave.

Gjithashtu, u kërkua ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare për lirimin e kufijve.

Meqë nuk pati reagim e as veprime në këtë drejtim, Kosova u detyrua të mbyllte kufijtë në tërësi në mënyrë që qytetarët të mos ballafaqoheshin me personat e maskuar në Serbi.

Mëngjesin e sotëm, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, njoftoi se qarkullimi i automjeteve në pikën kufitare të Jarinjës po zhvillohet pa probleme.

“Në Jarinje po qarkullojnë veturat, për momentin nuk ka asnjë problem”, tha Elshani për Klankosova.

Edhe pika kufitare e Kullës, mes Malit të Zi dhe Kosovës, është e hapur për qarkullim të automjeteve, ndonëse e njëjta ishte paralajmëruar se do të mbyllej.

Kërkesë e serbëve është largimi i të gjitha njësive policore të Republikës së Kosovës nga pjesa veriore e vendit, dhe që situatën e sigurisë ta marrë nën kontroll KFOR-i.

Për bllokadat kufitare është deklaruar sot edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se vendosja e bllokadave nëpër pikëkalimet kufitare nga ana e Serbisë është bërë me qëllim që të krijohet tension dhe të destabilizohet paqja dhe siguria në Kosovë e rajon.

Komento: