Vazhdojnë temperaturat e larta, pushuesit në Shëngjin e Vlorë bëjnë plazh

16:51 | 27 October 2019

Po vazhdojnë temperaturat e larta në vendin tonë.

Ndoshta do duhej të shijonim dëborën e parë ashtu sikurse ka ndodhur për shumë vite me radhë, por jo. Vjeshta këtë vit ka një tjetër ofertë. Ky është plazhi i Shëngjinit e ndonëse jemi në javën e fundit të tetorit, deti ka pamjen e fundit të gushtit të disa viteve me parë. Temperaturat janë të pazakonta për stinën, ndërsa Shëngjini nuk është braktisur nga pushuesit.

Fundjava ka bërë që qytetarë jo vetëm vendas, por edhe të ardhur nga qytete të tjera dhe nga Kosova të zgjedhin këtë zonë turistike për të pushuar. Plazhin në këtë periudhe ata e konsiderojnë si diçka të pazakonte, por që po i shijojnë në maksimum teksa notojnë dhe marrin rrezet e diellit. Por ndryshe nga sa ndodh gjatë sezonin, gjatë kësaj kohe pushuesit i marrin falas shelzonet.

“Kur është koha e plazhit të gjithë vijmë, por kur është tani vonë koha e bukur pse të mos vijmë? Fund tetori me ardhur në plazh nuk ka ndodhur, vitin e kaluar në Ferizaj në 6 tetor kam ndezur stufën me u ngroh. Është shumë mirë, koha e mirë e nxehtë, kemi ardhur për fundjavë. E pazakontë, plazhi në tetor, por është shumë bukur” thanë disa nga pushuesit.

Moti i ngrohte dhe me diell është shfrytëzuar dhe nga operatoret turistik në Shëngjin të cilët vijojnë të ofrojnë shërbime për pushuesit të cilët janë kryesisht ditor.

Edhe në Vlorë duket se ditët e plazhit nuk do të përfundojnë. Askush nuk mund të mos pranojë që një ditë të mos e kalojë buzë detit. Vlonjatët ndjehen me fat që janë pranë detit, ndërsa ka edhe pushues që kanë ardhur nga qytete të tjera. Në Vlorë fundjava e fundit e tetorit tregon se qyteti bregdetar vijon te mbetet dhe në vjeshtë një destinacion i preferuar nga vendas dhe të huaj.

Komento: