Vazhdojnë veprimtarinë ilegalishtë, bastoret dhe lojërat e tjera të fatit

22:13 | 24 November 2019

Bastoret dhe lojërat e tjera të fatit po e vazhdojnë veprimtarinë ilegalisht.

Personat, të cilët kanë qenë të anëtarësuar për të luajtur online në lojërat e fatit para se të ndaloheshin ato me ligj, vazhdojnë të luajnë edhe tani pa asnjë problem, në mënyrë ilegale.

Të anëtarësuarit lehtësisht munden që fshehurazi, të shtojnë mjetet në llogari të tyre nëpërmjet personave të caktuar të kompanive të bastoreve dhe lojërave të tjera.

Po ashtu, personat që luajnë lojëra të fatit, ani se nuk është ligjore, lehtësisht mund të luajnë online.

KTV-ja ka mësuar se anëtarësimi në këto faqe, nuk pengohet dhe bëhet thjesht me një kompjuter përmes një punëtori, të cilin personat e interesuar e takojnë në një kafiteri dhe ai i anëtarëson ata për të luajtur.

E, pikërisht këto lokale ishin cak i Policisë së Kosovës e cila kreu në fillim të javës një aksion në disa lokacione të ndryshme në Vushtrri.

Ky aksion rezultoi me arrestimin e gjashtë personave për veprën penale “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm”.

Krejt kjo pasi Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar e Policisë kishte pranuar informata se në lokacione të caktuara po zhvilloheshin veprimtari të kundërligjshme të lojërave të fatit, të cilat kohë më parë janë ndaluar me ligj.

“Policia e Kosovës, sipas detyrës dhe autorizimeve ligjore që ka, ndërmerr veprime në gjithë territorin e Kosovës me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, si dhe parandalimit të veprimtarive kriminale. Të arrestuarit dyshohen se me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme, kanë organizuar lojëra të fatit, edhe pse janë të ndaluara me ligj”, thuhet në përgjigjen nga zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Ligji për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë, i cili ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjet, ka hyrë në fuqi në muajin maj të këtij viti.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit është marrë, pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, u vranë dy persona.

Komento: