Po vazhdon edhe më tej ikja e mjekëve nga vendi ynë.
Edhe përkundër faktit që pagat e mjekëve dhe infermierëve janë rritur pas miratimit të Ligjeve në Kuvendin e Kosovës, ata po vazhdojnë të ikin.
Arsyet e ikjes së këtij stafi, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian ku prin Gjermania si destinacion, ndërlidhen me pagat dhe kushtet më të mira për punë.
Vetëm në 3 mujorin e parë të vitit 2019, 37 mjekë specialistë kanë ikur nga Kosova, ndërsa gjatë vitit 2018 janë larguar gjithsej 154 mjekë specialist.
Kjo është shifra e fundit që e posedojnë zyrtarët në Federatën Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës.
“Në Odën e Mjekëve janë gjithsej 154 kërkesa që nga marrja e kompetencave, duke marrë parasysh se nuk kemi informatë se për cilin vend janë kërkuar ato. Ndërsa për 3 mujorin e parë të 2019-ës janë gjithsej 37 kërkesa për të kaluarën etike”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të Odës së Mjekëve të Kosovës.
E këtë situatë si alarmante po e sheh kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovës, Blerim Syla.
Ai ka thënë se momentalisht nuk ka statistika për ikjen e mjekëve, por ka shtuar se pas një takimi që kishte në Bruksel, situata është paraqitur alarmante.
“Për momentin nuk kemi statistika, por sa mund të them unë është, prej takimit tim të fundit në Bruksel, shifrat janë alarmante. Ajo çka dihet është se mediat që raportojnë çdo ditë në Gjermani, është se po rekrutojnë edhe po tentojnë me rekrutu kuadro mjekësore nga Kosova dhe jo vetëm. Mirëpo duke i pa studentët edhe hulumtimet, interesimi është mjaft i madh. Nuk kemi një numër jam duke kontaktuar më Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, se çfarë marrëveshje është arritur. Ajo çka dimë është të Oda e Mjekëve që duhet të marrin vërtetime kanë marrë nja 110 deri tani”, ka thënë Syla.
Ai po ashtu ka thënë se megjithatë pas kalimit të ligjeve për pagat, situata është stabilizuar.
Edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë se pas miratimit të ligjeve për pagat, ka rënie të numrit të profesionisteve shëndetësorë të cilët po largohen nga Kosova.
Këshilltari politik i ministrit Ismaili, Albatrit Matoshi ka thënë se orientimet kryesore të MSH-së janë përmirësimi i kushteve dhe krijimi i mundësive për edukim profesional për të gjitha kuadrot mjekësore.
“Orientimet kryesore të MSh-së janë: Përmirësimi i ndjeshëm i pozitës materiale të mantelbardhëve, përmirësimi i kushteve të punës dhe infrastrukturës mjekësore dhe krijimi i mundësive pre edukim të vazhduar profesional të gjithë kuadrit mjekësor në Kosovë. Siç e dini tashme, Ligji për pagat në sektorin publik ka kaluar dhe mjeket kosovarë do ti kenë pagat me të larta në rajon. Ky është një mekanizëm ndihmës në funksion të zbatimit të kësaj strategjie për ruajtjen e kuadrit aktual dhe krijimit të kuadrit të ri me profile sipas kërkesave të sektorit”, ka thënë Matoshi.
Ai tutje ka thënë se aktualisht në institucionet shëndetësore publike në Kosovë ka mbi 13500 të punësuar dhe asnjë shërbim nuk është i rrezikuar për shkak të largimit të kuadrit.
“Lëvizja e kuadrit mjekësorë si fenomen ka prekur shume vende. Megjithatë, tani ka rënie të numrit të profesionistëve shëndetësore të cilët po largohen nga Kosova. Aktualisht në institucionet shëndetësore publike në Kosove ka mbi 13500 të punësuar dhe asnjë shërbim nuk është i rrezikuar për shkak të largimit te kuadrit. Politika është që ky nume të rritet akoma në vitet në vijim dhe për ketë, gjatë këtij viti janë ndërmarrë hapa konkret siç u përmendën me lart”, ka thënë Matoshi.
Sido që të jetë Gjermania është vendi që më së shumti po kërkon punëtorë shëndetësorë nga jashtë, ku bën pjesë edhe Kosova.
Me ligjin e ri për Pagat, mjekët specialist tani marrin 1195 euro, ndërsa infermierët nga 537 në 525 euro.