Manipulime me flamujt e origjinës së produkteve.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës përmes një udhëzimi administrativ kishte obliguar subjektet afariste që të vendosin flamurin e origjinës së produktit nëpër dyqane në mënyrë që konsumatorët të njoftohen me origjinën e mallrave që blejnë.
Por, në disa raste ky udhëzim administrativ nuk po zbatohet në masën e duhur, e raste tjera, flamuri i shtetit nuk përkon me origjinën e mallit të ekspozuar për shitje.
Mospërputhja e flamurit të shtetit me origjinën e produktit, kryesisht ndodh kur janë në pyetje prodhimet nga Serbia apo edhe brendet ndërkombëtare, por që janë importuar nga ky vend.
Në një rast të evidentuar nga Radio Evropa e Lirë në një dyqan në Prishtinë, flamuri i Kosovës shihet i vendosur te produkti i cili është brend ndërkombëtar, por që prodhohet në Serbi.
Kryeinspektori i Tregut në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Syla në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se kanë evidentuar raste kur subjektet afaristë kanë bërë ndërrim të flamujve, por edhe raste kur nuk janë vendosur fare flamujt e origjinës së produktit.