
Protesta qytetare kundër establishmentit politik në Shqipëri, shënoi sot ditën e saj të 25-të, me qytetarët që u mblodhën para Kryeministrisë dhe më pas vijuan marshimin në rrugët kryesore të Tiranës. Ndërkohë, një grup protestuesish kaluan edhe natën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke vazhduar qëndresën e nisur prej javësh.
Gjatë tubimit para ndërtesës së Kryeministrisë u përsëritën thirrjet që tashmë janë bërë simbol i protestës, si “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Rama jepe dorëheqjen”.
Protestuesit rilexuan gjithashtu paketën e kërkesave të tyre, ku në qendër mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë, krijimi i një qeverie teknike tranzitore 12-mujore, ndryshimet kushtetuese dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në maksimum dy mandate.
Në podium u mbajtën disa fjalime, ku u kritikuan si qeveria ashtu edhe opozita tradicionale. Një protestues nga Skrapari sulmoi ashpër Sali Berishën, ndërsa folës të tjerë akuzuan Ramën dhe Berishën se kanë dominuar jetën politike shqiptare për më shumë se tre dekada.
Pjesë e protestës u bë edhe sopranoja Erjona Paruca Melani, artiste e Operës së Bordosë në Francë, e cila deklaroi se kishte ardhur posaçërisht për t’iu bashkuar protestës dhe mbajti një fjalim me tone të forta kundër kryeministrit.
Një nga momentet kryesore të mbrëmjes ishte rileximi i kërkesave politike të protestës, ku u paralajmërua edhe përshkallëzim i aksioneve qytetare deri në bllokimin e institucioneve, nëse, sipas protestuesve, zyrtarët e korruptuar vijojnë të qëndrojnë në pushtet.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit nisën marshimin në akset kryesore të kryeqytetit me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe ndryshim të sistemit politik.