Vazhdon seanca në Kuvend

12:36 | 10 Korrik 2020

Seanca në Kuvend, e cila ishte ndërprerë të enjten pasdite, ka nisur me rreth katërdhjetë minuta vonesë.

Pika të rendit të ditës janë zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, (KOSTT); Formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë; Shqyrtimi i Raportit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit-(ARRU) për vitin 2019; Kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e Pandemisë së Virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për miratimin e buxhetit; Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për shtatë (7) anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës; Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Ankesave të Komisionit të Pavarur të Mediave; Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani kishte thënë të enjten, pas dështimit që të zgjidhet një kandidat për anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, se për shkak të “rrezikshmërisë sepse ajri s’po mund të qarkullojë” seanca të vazhdojë të premten me fillim prej orës 11:00”.

Kurse, seanca ku do të raportojë kryeministri Avdullah Hoti dhe debat parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19, do të mbahet me fillim prej orës 16:00.

Komento: