Vazhdon shitja e temave të diplomave, këto janë kërkesat e fundit – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Vazhdon shitja e temave të diplomave, këto janë kërkesat e fundit

23:37 | 22 Dhjetor 2018

Fenomeni i blerjes së temave të diplomës duket se po vazhdon edhe në tej.

Një studente e nivelit master po kërkon që të blejë një temë diplome për të finalizuar studimet e saj dhe pajisur me një diplomë, e cila do t’i siguronte hapësirë në tregun e punës.

E një shit-blerje e tillë po ndodh në një grup të hapur në rrjetin social “Facebook”, ani pse edhe ofertat nga vet këto kompani apo persona që ofrojnë tema diplome nuk janë të rralla.

Me një kërkim të thjeshtë në internet mund të gjesh me dhjetëra të tilla, duke ofruar kështu punime të diplomave komplet të gatshme. Disa nga këto faqe janë edhe “Tema diplome juridik”, “Tema diplome për çdo degë”, “Tema diplome”, “Tema diplome ekonomiku” , e shumë të tjera.

Në një përgjigje të dhënë për “Indeksonline” nga Universiteti i Prishtinës, thuhet se deri më tash ata nuk pranuar ndonjë ankesë lidhur me një gjë të tillë, pra si rrjedhojë nuk është dënuar asnjë nga studentët.

“Deri me tani, Universiteti i Prishtinës nuk ka pranuar ndonjë ankesë apo evidencë lidhur me çështjen e shtruar nga ana juaj” thuhet në përgjigjen e tyre.

Madje, ata janë pyetur edhe për numrin e punimeve të marra nga dikush tjetër, pra plagjiaturë, por Universiteti i Prishtinës nuk posedon një regjistër të tillë.

Kurse, përgjegjësia kryesore për temat e blera të studentëve bie mbi profesorët, të cilët duhet të monitorojnë punën e secilit kandidat që ata marrin përsipër.

“Secili profesor i cili mentoron/udhëheqë kandidatët në temat e diplomës të të gjitha niveleve, njëkohësisht e mbanë edhe përgjegjësinë për të kontrolluar cilësinë e dorëshkrimeve të temave në të gjitha aspektet. Pra, përgjegjësia kryesore në këtë rast bije mbi mentorin/profesorin dhe komisionin për realizimin e mbrojtjes së temës së diplomës, si trupë profesionale. Njëkohësisht, menaxhmentet e njësive akademike përkatëse dhe menaxhmenti i UP-së, në rast të evidentimit të një situate të tillë, detyrohen të reagojnë konform rregullativës në fuqi. Pra, plagjiatura e secilës formë apo nivel, është e ndaluar dhe trajtohet si e tillë” thuhet në përgjigjen e UP-së.

Se nuk kanë pranuar ndonjë ankesë për shit-blerje të temave të diplomës janë shprehur edhe zyrtarët nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

“Ne nuk kemi pranuar ndonjë ankese rreth kësaj çështje” thuhet shkurt në përgjigjen e MASHT-it.

Nga ana tjetër, njohësi i sistemit të arsimit dhe njëherësh drejtuesi i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci ka thënë se një gjë e tillë ndodh në çdo vend të botës.

Por, sipas tij, dallimi me Kosovën qëndron në faktin se studentët në Universitetet ndërkombëtare nuk arrijnë që të diplomojnë me këto punime.

“Arsyeja pse kjo nuk ndodhë ose ndodhë shumë rrallë në universitetet e mira qëndron në faktin se studentët përcillen me kujdes gjatë realizimit të punimeve të tyre të diplomës, punimet kontrollohen për cilësi dhe çdo shkelje dënohet ashpër” është shprehur Pupovci.

Ai ka theksuar se këto veçori, si kontrolli dhe përcjellja e punimeve në vazhdimësi në Kosovë mungojnë, duke ia lënë fajin kryesor profesorëve.

“Në kontekstin tonë, të gjitha këto mungojnë. Të shumtën e rasteve, studenti nuk përcillet nga profesori gjatë realizimit të hulumtimit të vet për punim diplome, prandaj mund t’ia prezantoj profesorit si hulumtim të vetin çfarëdo punimi që edhe mund ta ketë blerë diku. Sikur profesori ta përcillte studentin, do ta dinte se çfarë ka lexuar, çfarë pune në terren ose në laborator ka bërë dhe çfarë punimi mund të del nga angazhimi i tij” ka thënë Pupovci.

Ndërkaq, Pupovci ka thënë se pasi që nuk ka cilësi në punimet që kryhen, shitësit e kanë më të lehtë të ofrojnë diploma me çmime të volitshme.

“Pastaj, nuk ka kontroll të duhur të cilësisë së punimit, kështu që “shitësit” e temave e kanë më lehtë të operojnë, duke ofruar punime të diplomës me çmime të volitshme. Bile, ka raste kur punimet e diplomës nuk lexohen fare nga profesorët, por vetëm organizohet një mbrojtje formale e tyre. Dhe, e treta nuk ka dënime për ata që bëjnë shkelje të kësaj natyre, sepse të tillët nuk zbulohen asnjëherë, qoftë falë solidaritetit të kolegëve apo neglizhencës së profesorëve” ka thënë ndër të tjera Pupovci.

Vetëm kriteret e qarta për punime të diplomës mund të zgjidhin këtë problem.

“Këtë problem nuk mund ta zgjidhë Ministria, por vetëm institucionet e arsimit të lartë, duke vënë kritere të qarta për punime të diplomës dhe duke kërkuar me ngulm nga stafi akademik që ta përcjellë punën e studentëve në realizimin e atyre punimeve dhe t’i kontrollojnë ato në mënyrë të duhur” ka përfunduar Pupovci.

Komento: