Vazhdon të mbetët sfidë siguria në trafik

13:25 | 24 Janar 2020

Siguria në trafik vazhdon të jetë sfidë për Kosovën.

Sfida kryesore e sigurisë publike në vend vazhdon të jetë siguria në trafik, ku gjatë vitit 2019 kanë ndodhur 16 mijë e 199 aksidente ku kanë humbur jetën 113 persona në këto aksidente.

Kështu u tha në konferencën e shtatë ndërkombëtare të titulluar “Sfidat e mobilitetit të transportit dhe siguria publike”, të organizuar nga Kolegji Tempulli si dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike.

Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi, tha se siguria publike në përgjithësi dhe ajo rrugore në veçanti vazhdojnë të mbeten ndër problemet kryesore për institucionet shtetërore dhe të gjithë shoqërinë.
Ai tha se shqetësuese është numri i madh i aksidenteve rrugore dhe numri i personave të vdekur në aksidente në vendin tonë.

“Numri i madh i aksidenteve në rrugë është shqetësues sa i përket përdoruesve të rrugës edhe në Kosovë. Bazuar në të dhënat statistikore të vitit 2019 ka pasur gjithsej 16 mijë 199 aksidente rrugore të të gjitha llojeve, ku kanë humbur jetën 113 persona në këto aksidente. Shqetësuese është numri i madh i personave të lënduar lehtë dhe rëndë, ku statistikat tregojnë se në vitin 2019 lëndime trupore si pasojë aksidenti kanë marrë 11 mijë e 865 persona. Nga rekomandimet e dala nga kjo konferencë në kuadër të mobilitetit urban inkurajojmë pjesëmarrësit, e posaçërisht institucionet t’i marrin ato në konsideratë gjatë hartimit dhe rishikimit të planeve të mobilitetit urban”, tha ai.

Ndërkaq, drejtori i Kolegjit të Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, Muhamet Krasniqi, tha se siguria e lëvizjes në rrugë është një çështje që duhet t’i brengosë institucionet dhe qytetarët.

“Siguria e lëvizjes në rrugë çështje shumë e ndjeshme për secilin qytetar, rrjedhimisht kjo ndjeshmëri duhet të brengosë të gjithë qytetarët dhe institucionet për kujdes të shtuar dhe masa konkrete në këtë drejtim. Çdo vit 1,35 milionë njerëz vdesin në rrugë, kjo do të thotë se gati 3 mijë 700 njerëz vdesin në trafikun rrugor si pasojë e aksidenteve në trafikun rrugor. Lëndimet në trafikun rrugor janë shkaku më i zakonshëm i vdekjes të të rinjve në mbarë globin”, tha Krasniqi.

Krasniqi u shpreh se ekziston edhe arsye dhe optimizëm sepse vende të botës përmes aktiviteteve të ndryshme kanë arritur të përmirësojnë sigurinë rrugore.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë për Siguri Publike Ismail Smakiqi, u shpreh se sfida e sigurisë në trafik ka nevojë për vëmendje të shtuar të institucioneve dhe të qytetarëve.

“Sfida e sigurisë në përgjithësi, po kjo e trafikut është një prej cështjeve që realisht donë vëmendje shumë të shtuar jo vetëm të agjencive të sigurisë ose asociacioneve të ndryshme që merren me siguri në trafik, po edhe të gjithë qytetarëve. Kështu që, kanë me qenë shumë të mirëseardhura të gjitha hulumtimet që do të prezantohen sot, por njëkohësisht edhe rekomandimet që do të prezantohen”, tha ai.

Për sfidat me të cilat përballet një qytet sa i përket sigurisë në trafik foli kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri.

“Sot në qytetin tonë nuk kemi një stacion të autobusëve dhe në fakt nuk kemi një stacion treni funksional. Dy gjërat elementare ose dy pikat themelore për një transport publik të sigurt që do të rrisnin sigurinë e pjesëmarrësve në trafik dhe do të zvogëlonte numrin e automjeteve dhe do të shtonte sigurinë dhe mobilitetin e qytetarëve. Kam trashëguar një qytet i cili dikur ka pasur një stacion të autobusëve i cili në një proces gjyqësor është humbur”, tha ai.

Edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, deklaroi se sfida kryesore me të cilën po përballet vendi sa i përket sigurisë publike është siguria në trafik.

“Fatkeqësisht vendi ynë po përballet me një nga sfidat kryesore të sigurisë publike, siç është siguria në trafik. Miliona njerëz humbin jetën dhe gjymtohen si pasojë e aksidenteve të trafikut, pa llogaritur fare këtu dëmet materiale që shkaktohen nga aksidentet e trafikut. Nuk do të mjaftonte që shoqëria njerëzore të jetë e mjaftueshme e brengosur për këtë problem. Vetëm një kombinim i mirëfilltë i edukimit akademik, mirëmbajtjes teknike dhe ngritjes së masave të sigurisë do të mundësonte që të përballemi me këtë sfidë në mënyrë adekuate”, tha ai.

Konferenca e titulluar “Sfidat e mobilitetit të transportit dhe siguria publike”, është organizuar nga Kolegji Tempulli si dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike.

Komento: