Familja fajëson vonesën e autoambulancës për vdekjen e 16 vjeçares nga Gjilani.
Familjarët e 16-vjeçares, Mirlinda Ibrahimi, e cila ndërroi jetë pas kontaktit me rrymën në shtëpinë e saj në fshatin Capar të Gjilanit, pretendojnë se ekipi i ndihmës së shpejtë të Qendrës së Mjekësisë Familjare (QKMF) është vonuar.
Rasti ka ndodhur më 12 qershor dhe se vdekja e saj është konstatuar në Spitalin Regjional të Gjilanit, shkruan sot Koha Ditore.
Nëna e së ndjerës, Arbnesha Mushkolaj, deklaron se vajza kishte hyrë në banjë për pastrim dhe defekti në rrymë kishte shkaktuar lëndimin e saj. Ajo ka thënë se është përpjekur ta ndihmojë 16-vjeçaren, derisa njëra nga vajzat e saj ka thirrur emergjencën në numrin 112.
Ajo deklaron se kanë qëndruar në oborrin e shtëpisë së bashku me vajzën e lënduar në pritje të autoambulancës. Sipas saj, operatori i thirrjeve nuk ka pasur sjellje korrekte.