
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, tha se ka kërkuar nga Policia e Kosovës angazhim maksimal në hetimin e rastit tragjik ku në Qendren e Studentëve ka humbur jetën një 26-vjeçar nga Komuna e Gjilanit.
Sveçla tha se MPBAP do t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ndriçimin e rastit.
Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë që rastin ta trajtojë me prioritet.
“Me këtë rast i bëj thirrje Prokurorisë që ta trajtojë këtë rast me prioritet absolut dhe shpresoj që rastet e këtilla të mos përsëriten”.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Dje jemi ballafaquar të gjithë, si individë, si familjarë, si institucione e si Republikë me lajmin tragjik mbi shuarjen e një jete të re. Momentet e këtilla janë të vështira për të gjithë, e në radhë të parë për familjen. Me këtë rast dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Musliu.
Momentet e këtilla kërkojnë reagim të menjëhershëm të institucioneve të rendit dhe po ashtu, solidaritet të gjithë shoqërisë me dhimbjen e familjes.
Dua t’ju informoj që në pajtim me kompetencat e mia, kam kontaktuar drejtorin e Policisë dhe kam kërkuar angazhim maksimal të Policisë në hetimin e këtij rasti. Ju siguroj që të gjitha masat që janë në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të ndërmerren pa asnjë hezitim.
Me këtë rast i bëj thirrje Prokurorisë që ta trajtojë këtë rast me prioritet absolut dhe shpresoj që rastet e këtilla të mos përsëriten.
