Vdekja e 40 vjeçarit në pompën e derivateve në Pejë, ndalohet biznesmeni Vesel Jusaj

16:22 | 23 October 2024

Një bombol gazi shpërtheu mëngjesin e 11 tetorit në Pejë, duke shkaktuar vdekjen tragjike të një 40 vjeçari që ndodhej në hapësirat e pompës së derivateve “Delta Group”. Për këtë rast të rëndë, sot prokuroria ka konfirmuar ndalimin e një personi të dyshuar lidhur me ngjarjen. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të shpërthimit.

Person i ndaluar siç merr vesh Insajderi është biznesmeni Vesel Jusaj, pronar i pompës.

Ndalimin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i prokurorisë, Shkodran Nikçi.

“Për rastin ku mbetë i vdekur një punëtor i pompës së benzinës me 11.10.2024 Prokuroria ka nxjerr vendim për ndalimin e një personi, i cili po dyshohet për veprën penale “mos ofrimi i kushteve të domosdoshme në vendin e punës”, ka thënë Nikçi.

Gazeta Insajderi raportoi se viktima ishte Visar Muriqi.

Muriqi ishte ftuar nga ky biznes që të bënte shndërrimin e bombolës së gazit në mënyrë që e njëjta të përdorej për derivate tjera.

“Delta Group” në ARBK figuron si pronë e vëllezërve Vesel e Shkëlqim Jusaj.

Në momentin e arritjes viktima ka nisur të punojë në këtë bombolë që gjendej nën tokë por e njëjta ka shpërthyer.

Nga ky shpërthim siç mëson Insajderi trupi i viktimës është goditur nga vala shpërthyese ku edhe është dëmtuar seriozisht duke u shkaktuar vdekje e menjëhershme. /Insajderi.org

Komento: