Vdekja e gruas në Dragash, Kryeprokurori i Prizrenit tregon për aktakuzat që ishin ngritur para një jave.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, ka dhënë detaje për rastin e vdekjes së gruas 67-vjeçe në Kuk të Dragashit. Viktima dyshohet se kishte shenja dhune në trup, prandaj trupi i pajetë i saj është dërguar për obduksion për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes.
Kryeprokurori Admir Shala tha për Gazetën Express se Prokuroria e Prizrenit është në pritje të raportit të IML-së për të vepruar tutje, ndërkohë janë intervistuar anëtarët e familjes së viktimës.
Shala tregoi se më 21 dhjetor të këtij viti Prokuroria ka ngrituar aktakuzë kundër gruas së vëllait të viktimes dhe djalit të gruas së vëllait për “dhunë në familje”, përkatësisht dhunë psikologjike ndaj viktimës.
Shala shton se viktima kishte jetuar në shtëpinë e vëllait dhe nuk kishte përkujdesje ndaj saj.
“Në rastin konkret janë intervistuar anëtarët e familjes. Viktima është dërguar në IML për obduksion sepse janë vërejtur disa shenja në trup dhe me qëllim të zbardhjes së shkakut të vdekjes viktima është dërguar për obduksion. Pas raportit të IML dhe konstatimit të tyre do të veprohet më tutje. Rasti është nën hetime. Ndërsa, më datë 21.12.2022, Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër gruas së vëllait të viktimes dhe djalit të gruas së vëllait për dhunë në familje përkatësisht dhunë psikologjike ndaj viktimës, sepse viktima ka jetuar në shtëpinë e vëllait të saj dhe nuk janë kujdesur për të”, tha Shala për Express.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Fitore Mehmeti, tha se prokuroria ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore.
“Lidhur me rastin të cilit i referoheni, ju njoftojmë se prokurori kujdestar ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, dhe ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës me urgjencë të dërgohet për kryerje të obduksionit në Institutin e Mjeksësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, për të kuptuar shkakun e vdekjes. Po ashtu, lidhur me rastin prokurori ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore”, tha Mehmeti për Gazetën Express.
Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit ka deklaruar se viktima dyshohet se ka pasur dhunë në familje, ajo ka vdekur në ora 05:00 të mëngjesit të hënën.
“Ka vdekur në shtëpinë e saj në moshën 67-vjeçare, dyshohet që ka shenja dhune në trup”, ka thënë ai.
Rasti në polici është hapur si vdekje e dyshimtë.