Policia e Kosovës ka dhënë detaje për vdekjen e futbollistit 17 vjeçar në Prizren.
Sipas raportit 24 orësh policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur në fshatin Korishë të Prizrenit rreth orës 13:45.
Policia njofton se pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, një person është dërguar në emergjencën e spitalit të Prizrenit, ku nga mjeku përgjegjës është konstatuar se trupi i viktimës mashkull kosovar është pa shenja jete.
Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me urdhër të së cilit trupi i pajetë i është dorëzuar familjarëve për ceremoni. Rasti vazhdon të hetohet.
Erion Kajtazi, ka vdekur në fushën e lojës të shtunën pas një arresti kardiak.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës, Trepça ‘89 dhe Emergjenca e Spitalit të Prizrenit.
Kajtazi, që veshi edhe fanellën e Përfaqësueses së Kosovës U17, gjatë ndeshjes kundër A&N në Prizren ra në tokë pa vetëdije.
Siç ka njoftuar FFK-ja, mjekët e të dyja skuadrave bën përpjekje maksimale për t’ia shpëtuar jetën talentit 17-vjeçar, por ishte e pamundur.