Sot ka ndërruar jetë Jetart Berisha, viktima e dytë e tentim-vrasjes së para disa muajve në Pejë. Gjatë kësaj kohe ai ishte duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Por sot deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se familja e të ndjeri kishin bërë kërkesë që ai të trajtohej jashtë vendit, por që nuk arritën t’i sigurojnë nënshkrimet.
Sipas tij SHSKUK dhe Klinika e Mjekimit Intenziv e neglizhuan trajtimin e Jetart Berishës.
“Më shumë se dy muaj familja e tij kërkonin urgjentisht ta dërgonin për shërim në Itali, por Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimi Intensiv – MIQ nuk e nënshkruan dërgimin për trajtim jashtë vendit me arsyetimin se gjendja e tij është stabile”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.