
Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelores në Pejë me të cilin Arton dhe Nezir Duraku ishin dënuar me 15 vite burgim, pasi pranuan fajësinë se si pasojë e aksidentit të trafikut që shkaktuan, vdiq i riu F.Sh., dhe se të njëjtit nuk i ofruan ndihmë pas aksidentit.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Arton dhe Nezir Duraku, duke i dënuar me 15 vite burgim (së bashku), pasi kishin pranuar fajësinë se si pasojë e aksidentit të trafikut që shkaktuan, vdiq i riu F.Sh., dhe se të njëjtit nuk i ofruan ndihmë pas aksidentit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishin parashtruar Prokuroria Themelore në Pejë, mbrojtësit të të akuzuarve Arton Duaku avokati Kadri Prekaj, dhe të akuzuarit Nezir Duraku avokatit Haxhi Sinani si dhe përfaqësuesi i të dëmtuarve avokati Sali Mekaj, të cilat ankesa janë shqyrtuan më 14 korrik 2023.
Andaj, përmes vendimit të marrë më 14 korrik 2023, Apeli ka refuzuar si të pa bazuara të njëjtat ndërsa, aktgjykimin e Gjykatës Themelore- DKR në Pejë të datës 19 prill 2023 e ka vërtetuar.
“Refuzohen si të pa bazuara ankesat e Prokurorisë Themelore- DKR në Pejë, përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar dhe mbrojtësve të të akuzuarve Arton Duraku dhe Nezir Duraku, ndërsa, aktgjykimi i Gjykatës Themelore- DKR në Pejë i datës 19.04. 2023 vërtetohet”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Gjykata e Apelit, pasi shqyrtoi të gjitha shkresat e kësaj çështje penalo-juridike, studioi aktgjykimin e ankimuar në pajtim me dispozitën e nenit 394 të KPPK-së, dhe pasi vlerësoi pretendimet e cekura në ankesa gjeti se të njëjtat janë të pabazuara.
Në arsyetim thuhet se, Prokuroria Themelore në Pejë, ka bërë ankesë ku ndër të tjerash kishte kërkuar që ndaj të akuzuarit të parë Arton Duraku të shqiptohet edhe dënim plotësues.
Mirëpo, sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet e cekura nuk qëndrojnë, ngase në rastin konkret i akuzuari i parë Arton Duraku, nuk posedon fare patente shofer, për çka edhe me te drejtë gjykata e shkalles së parë nuk ka shqiptuar dënimin plotësues në fjalë, kurse sa i përket të akuzuarit të dytë Nezir Duraku, i cili është shpallur fajtor për vepër penale mosdhënia e ndihmës nga neni 188 par. 4 te KPRK-së, vepra penale në fjalë nuk përfshihet në kapitullin e veprave penale kundër trafikut, prandaj, edhe në këtë drejtim gjykata e shkalles së parë me të drejtë nuk i ka shqiptuar dënimin plotësues.
Ndërsa, përfaqësuesi i autorizuar të palës së dëmtuar në ankesë, kishte kërkuar që të akuzuarve të ju shqiptohen dënime më të ashpra, mirëpo sipas Gjykatës së Apelit gjykata e shkallës së parë, drejtë ka zbatuar dispozitat e nenit 322 të KPPRK-së.
Kurse, mbrojtësit e të akuzuarve Arton Duraku dhe Nezir Duraku, në ankesën e tyre përpos që kanë pretenduar se aktgjykimi i Gjykatës Themelore përmbante shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes se ligjit penal dhe vendimit për dënim, ndër të tjerash kanë kërkuar që të akuzuarve të ju shqiptohet dënim më i butë.