Dje ndërroi jetë në moshën 35 vjeçare ish sulmuesi i Arsenalit, Real Madridit dhe disa skuadrave tjera evropiane, Jose Antonio Reyes, pas një aksidenti me veturë.
Ndarja e parakohshme nga jeta e Jose Antonio Reyes ka tronditur botën e futbollit.
Pasi u bë publik lajmi se Reyes vdiq pas një aksidenti të frikshëm automobilistik dhe u publikuan foto të makinës e cila ishte shkatërruar plotësisht, tashmë kanë dalë në siparfaqe fakte të reja.
Shpejtësia e madhe ishte shkaktarja e këtij aksidenti të tmershëm. Ish-sulmuesi i Sevillas, Arsenalit, Real Madridit dhe Atletico Madrid u përplas me një shtyllë, para se të përfundojë në një kanal anash dhe rrugës, ku makina u shkatërrua nga flakët.
Për pasojë humbi jetën edhe nipi i tij, 23-vjeçar, ndërsa një familjar tjetër është në gjendje të rëndë.Sipas medieve spanjolle Reyes ka qenë në shtëpinë e tij në Utera, ku takoi gruan dhe fëmijët e tij dhe më pas u nis drejt Sevillas.
Mësohet se shpejtësia ka qenë faktori kryesor që shkaktoi këtë aksident fatal të 35-vjeçarit, i cili nuk ka mundur ta mbajë makinën në hyrje të një kthese.Plot 193 kilometra në orë ka qenë shpejtësia e makinës në momentin që është përplasur, 83 km/h më shumë sesa shpejtësia e lejuar në atë rrugë.